Lidhje

Instituti i Paqes paralajmëron trazira në gjithë rajonin në se ka ndarje territoriale të Kosovës


Instituti Amerikan i Paqes paralajmëron se çdo ndarje territoriale e Kosovës mbi baza etnike, do të çonte në trazira në gjithë rajonin e Ballkanit. Në një raport të posaçëm të botuar sot, Instituti i Paqes thekson se përparimet e arritura në Ballkan gjatë 15 vjetëve të fundit, do të viheshin në rrezik, në se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës do të çonin në një ndarje de-facto në bazë të vijave etnike, ku banorët serbë do të vetë-qeveriseshin në territorin e tyre nga Beogradi, duke anashkaluar Prishtinën.

Ndarja, ose forma të tjera zgjidhje të ngjashme me të, mund të çonin në një valë tjetër dhune, në shpërngulje masive të civilëve dhe në paqëndrueshmëri në shtete të tjera në rajon.

Komuniteti Ndërkombëtar, thekson më tej, raporti i Institutit Amerikan të Paqes, nuk ka arritur të riintegrojë serbët në Kosovë. Liria e lëvizjes ende nuk është e plotë, numri i banorëve serbë të kthyer në Kosovë është shumë i ulët, serbët nuk janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës dhe Beogradi e ka shtuar kontrollin mbi banorët serbë që jetojnë në veri të Kosovës.

Serbia, shkruan më tej raporti, synon t’i qeverisë serbët e Kosovës drejtëpërdrjetë nga Beogradi, duke mos përfillur Prishtinën. Kjo, thuhet më tej, është pikërisht ajo lloj ndarje territoriale mbi baza etnike, që mund të shkaktojë trazira në rajon. Udhëheqja shqiptare në Kosovë po ashtu nuk ka përmirësuar kushtet e jetesës për banorët serbë.

Qarqe ekstreme mes shqiptarëve në Kosovë, po ashtu do të dëshironin një ndarje territoriale mbi vija etnike, gjë që do t’u jepte atyre mundësinë të dëbonin banorët serbë që kanë mbetur në Kosovë në jug të lumit Ibër. Raporti i Institutit Amerikan të Paqes paralajmëron se në se bisedimet për të ardhmen e Kosovës çojnë në një ndarje territoriale mbi baza etnike, rajoni i Luginës së Preshevës, Maqedonia dhe Bosnja do të ndesheshin me paqëndrueshmëri serioze.

XS
SM
MD
LG