Lidhje

Stuhia tropikale Ernesto i afrohet Floridës


Ekspertë nga Qendra Amerikane Kombëtare për Uraganët në Majami, e kanë zgjatur një paralajmërim, ndërkohë që stuhia tropikale Ernesto i afrohet Floridës.

Një paralajmërim për stuhi tropikale tani përfshin rajonin nga Ishujt Keys, në jug të Floridës deri në bregdetin lindor, pranë kufirit me shtetin Georgia.

Qendra për uraganët paralajmëroi sot se Ernesto mund të fuqizohet, duke u shndërruar në uragan dhe se në Floridën Jugore ka mundësi të ketë tornado të veçuara.

Në këtë zonë priten erëra të fuqishme, shira të rrëmbyer deri në 1 metër dhe përmbytje. Guvernatori i Floridës, Xheb Bush shpalli gjendjen e emergjencës dhe i këshilloi banorët të sigurojnë ushqime dhe ujë të mjaftueshëm për të paktën 3 ditë.

Sot në mëngjes, NASA filloi dërgimin e anijes kozmike Atlantis drejt hangarit të saj, pasi meteorologët parashikuan se stuhia do të kalojë 32 kilometra larg nga Kepi Kanaveral ku ndodhet shtrati i lëshimit të anijes Atlantis në Florida.

XS
SM
MD
LG