Lidhje

Sekretarja Rajs: Tërheqja e parakohshme e trupave nga Iraku do të shkaktonte dëme të pallogaritëshme për interesat amerikane

  • David Gollust

Sekretarja amerikane e shtetit Kondolisa Rajs i tha dje një grupi veteranësh lufte se tërheqja e parakohshme e trupave amerikane nga Iraku do të shkaktonte dëme të pallogarishme për interesat e Shteteve të Bashkuara. Presioni në politikën e brëndshme për të paktën caktimin e një afati për tërheqjen e trupave amerikane është shtuar shumë me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit për në kongresin amerikan.

Administrata e presidentit Bush po përdor grupin veteran më konservator, Legjioni Amerikan, për të shtuar mbështetjen për politikën e saj në Irak, ndërkohë që shtohen thirrjet për afatin e tërheqjes nga ana e demokratëve të opozitës dhe disa republikanëve në prag të zgjedhjeve të nëntorit për në kongresin amerikan.

Duke mbajtur një fjalim në kuvendin vjetor të kësaj organizate në Salt Lake City të shtetit Utah, sekretarja e shtetit Rajs këmbënguli se fushata e përbashkët shtypëse nga forcat irakiane dhe ato amerikane kundër dhunës sektare në Bagdat po tregon një farë suksesi ashtu siç po ndodh edhe me operacionet e qarta dhe të krijimit të sigurisë në zonat përreth.

Administrata e presidentit Bush ka kundërshtuar të caktojë një afat për tërheqjen e trupave para se forcat irakiane të jenë në gjendje të garantojnë vetë masat e sigurisë. Zonja Rajs u tha veteranëve se kjo strategji mund dhe do të ketë sukses. Madje ajo paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen para se të përfundojnë misionin e tyre, kostoja e dështimit do të jetë, siç u shpreh ajo, e rëndë dhe me të vërtetë e pallogaritshme.

“Në se braktisim popullin irakian para se qeveria e tij të jetë e fuqishme për të siguruar vendin, atëhere ne do t’u tregojmë reformatorëve në gjithë rajonin se Amerikës nuk mund t’i besohet që të mbajë fjalën. Ne do të inkurajonte ekstremistët, armiqtë e moderimit dhe të reformave demokratike. Ne do të linim pas krijimin e një shteti të dështuar në Irak ashtu siç ndodhi në Afganistan në vitet 1990-të, vend ky që u bë bazë për al-Kaidën dhe qendër e organizimit të sulmeve të 11 shtatorit 2001.”

Sekretarja Rajs tha se terroristët në Irak, në se nuk mposhten, do të vazhdojnë të sulmojnë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe kjo, tha sekretarja e shtetit, është arsyeja që presidenti Bush e ka quajtur Irakun një front qëndror në luftën kundër terrorizmit.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld mbajti një fjalim po dje në kuvendin vjetor të Legjionit Amerikan dhe presidenti Bush ka në plan të flasë në këtë kuvend po këtë javë.

Në komentet e tij, sekretari Rumsfeld tha se bota përballet me atë që ai e quajti një tip të ri të fashizmit në ekstremizmin izlamik dhe i lidhi kritikët e strategjisë së luftës së Shteteve të Bashkuara me ata që u përpoqën të qetësonin Gjermaninë e Hitlerit para luftës së dytë botërore.

Zoti Rumsfeld vuri në pikpyetje në se ekstremistët e sotëm mund të qetësohen dhe i karakterizoi kritikët e administratës amerikane se vuajnë nga konfuzioni moral dhe intelektual.

Komentet e sekretarit Rumsfeld u pritën menjëherë me fjalë të ashpra nga demokratë me peshë. Senatori Jack Reid tha se u ofendua në veçanti nga komentet e sekretarit të mbrojtjes kur tha se kritikët e tij nuk janë patriotë dhe e quajti fjalimin e zotit Rumsfeld si një fjalim politik për të mbuluar mungesën e kompetencës së tij.

XS
SM
MD
LG