Lidhje

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve


30 gushti është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve nga organizata humanitare që duan ta drejtojnë vëmendjen tek mijëra njerëz të zdukur në gjithë botën. Në Ballkan vetëm rreth gjysmës së njerëzve që u zhdukën gjatë luftrave të viteve 1990-1999 iu dihet tani fati.

Zhdukja e personave është një plagë globale me raste të regjistruara në të paktën 30 vende të botës. Kombet e Bashkuara llogarisin mbi 45 mijë raste të pazgjidhura të të zhdukurve në regjistrat e tyre. Por organizata vlerëson se shifra e vërtetë është disa herë më e lartë. Në vitin 1999, mbi 40 mijë vetë konsideroheshin të zhdukur nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Zhdukur është ngarkuar me identifikimin e të humburve në gjithë botën. Duke përdorur analizat e ADN-së ky organizëm ka identifikuar mbi 10 mijë njerëz që janë zhdukur në Ballkan.

Kryetarja Kathryne Bomberger thotë se komisinioni ka një detyrë të vështirë përpara: “Sot ka ende rreth 20 mijë persona të zhdukur. Bosnje-Hercegovina ka numrin më të lartë të të humburve në rajon. Në fund të konfliktit ishin 30 mijë dhe sot janë afërsisht 15 mijë. Në Kosovë nga 4 mijë e 400 persona të zhdukur tani kanë mbetur 2 mijë e 500. Edhe në Kroaci është e njëjtja shifër”. Bomberger thotë se qeveritë kombëtare janë marrë kryesisht me fatin e njerëzve të përkatësisë së vet entike dhe kanë prirjen që të mos u kushtojnë vëmendje rasteve që kanë të bëjnë me etnitë e tjera.

Rajoni ende nuk ka një sistem të përqendruar të dhënash për personat e zhdukur. “Njerëzit zhdukeshin pa ndonjë lidhje me situatën gjeopolitike dhe mendoj se një sistem i tillë të dhënash do të ishte i vlefshëm për të gjithë”, thotë Bomberg.

Kroacia është i vetmi vend në ish-Jugosllavi që thotë se heton fatin e personave të zhdukur në luftë pavarësisht nga përkatësia etnike. Megjithatë ky është viti i parë që qeveria kroate nxori një listë njerëzish të zhdukur në luftë, ku përfshiheshin edhe serbë. Vesna Terseliç drejton organizatën joqeveritare "Documente" në Zagreb të Kroacisë. “Ky është një hap i rëndësishëm por duhet bërë më shumë për të hartuar një listë të të gjithë njerëzve që u zhdukën në luftën e Kroacisë”. Përkatësia etnike është një nga problemet në identifikimin e persomave të zhdukur në Kosovë ku Kombet e Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë.

Por Natasha Kandiç e Qendrës së të Drejtës Humanitare në Beograd thotë se qeveria serbe dhe ajo e Kosovës po e ngadalësojnë procesin. “Kombet e Bashkuara nuk mbajnë përgjegjësi për shqiptarët e zhdukur, pasi OKB-ja nuk ishte e pranishme në atë kohë. Qeveria serbe është përgjegjëse për t’u marrë me zhdukjen e shqiptarëve dhe qeveria serbe duhet të nxjerrë të dhënat për zhdukjen e shqiptarëve. Përsa u takon serbëve të zhdukur, shqiptarët po ia lënë përgjegjësinë komitetit të OKB-së duke thënë se shumica e serbëve u zhdukën pas mbërritjes së forcës ndërkombëtare në Kosovë”.

Kathryne Bomberger thotë se qeveritë e rajonit nuk kanë gjithmonë vullnetin që të nxjerrin të vërtetën për fatin e të zhdukurve sepse shpesh prek interesat politike. Megjithatë për të përshpejtuar procesin e identifikimit ajo thotë se është thelbësore që fati i të zhdukurve të shihet si çështje humanitare.

XS
SM
MD
LG