Lidhje

Departamenti i Shtetit: Kryetari i Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet ka shpërdoruar postin


Departamenti amerikan i Shtetit thotë se kryetari i Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet, Kenneth Tomlison ka keqpërdorur postin si kreu i organizatës që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe disa agjenci të tjera të transmetimit ndërkombëtar.

Në një përmbledhje bërë publike dje, hetuesit thanë se zoti Tomlison, posti i të cilit është politik e ka përdorur zyrën e tij qeveritare për punë personale dhe i ka caktuar në mënyrë të parregullt një kontratë prej 250 mijë dollarësh një miku. Një nga ankesat në raport ishte se zoti Tomlison kishte përdorur burimet zyrtare në lidhje me stallën e tij të kuajve.

Në përmbledhje thuhej se nuk është e sigurt nëse do të kryhet një hetim penal, por do të kryhet një hetim civil për caktimin e kontratës. Zoti Tomlison përmes një deklarate tha se hetimi e kishte pasur shtysën nga ato që ai quan ndarjet partiake brenda bordit. Ai tha gjithashtu se është krenar për atë që ka realizuar për transmetimet ndërkombëtare.

Presidenti Bush ka dërguar në senat kërkesën për riemërimin e Tomlisonit për një mandat tjetër si kryetar i Bordit të Guvernatorëve. Por tre anëtarë demokratë të Kongresit që bënë thirrje për një hetim vitin e kaluar i dërguan Presidentit Bush një letër dje duke kërkuar shkarkimin e Tomlisonit.

XS
SM
MD
LG