Lidhje

Senati amerikan bllokon procedurat për riemërimin e Kenet Tomlinson si kreu i Bordit që mbikqyr Zërin e Amerikës


Senati amerikan ka vendosur të mos fillojë procedurat për të miratuar për një mandat të ri kandidatin e presidentit Bush, Kenet Tomlinson, si kreu i Bordit që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe disa agjenci të tjera të transmetimi.

Një zëdhënës i Komisionit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë tha se komisioni nuk do të fillojë procesin e konfirmimit për Kenet Tomlison, i cili është kryetar i Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet. Tomlison akuzohet se ka abuzuar me postin e tij.

Ndërkohë, Tomlison, i cili është i emëruar politik, mund të qendrojë në këtë post deri nga fundi i këtij viti, por e ardhmja e tij më tej nuk është e qartë. Ai është republikan dhe ka lidhje të ngushta me Shtëpinë e Bardhë. Hetuesit e departamentit amerikan të shtetit thonë se Tomlison ka përdorur postin e tij për biznese private dhe i ka dhënë në mënyrë të padrejtë një kontratë prej 250 mijë dollarësh një miku.

Një nga ankesat në raport thotë se Tomlison ka përdorur burimet qeveritare për të kryer punë për stallën e tij të kuajve. Hetuesit thonë se nuk janë hapur hetime penale ndaj tij, megjithatë hetimet civile do të zhvillohen në lidhje me dhënien e kontratës. Tomlison i ka hedhur poshtë akuzat, duke ia vënë fajin ndarjeve partiake brenda bordit të transmetimeve.

XS
SM
MD
LG