Lidhje

Irani nuk tërhiqet nga pasurimi i uraniumit edhe pas kalimit të afatit


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike thotë se Irani vazhdon pasurimin e uraniumit, megjithëse të enjten përfundoi afati që OKB-ja i kishte vënë Teheranit për ta pezulluar atë.

Në një raport që i paraqiti Këshillit të Sigurimit agjencia ndërkombëtare për Energjinë Atomike, thotë se ende nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë pretendimet e Iranit se programi i tij bërthamor ka synime paqësore. Raporti i hap rrugën vendosjes së sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit pasi ky nuk përfilli afatin e 31 gushtit.

Ambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, Xhon Bollton e quajti raportin e agjencisë një sinjal paralajmërimi për komunitetin ndërkombëtar lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit.

Presidenti Bush tha se qendrimi sfidues i Iranit duhet të shoqërohet me pasoja dhe theksoi se Irani nuk mund të lejohet të prodhojë armën bërthamore.

Presidenti Bush tha dje në një takim me veteranë të ushtrisë amerikane se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore duke u bërë sfidë të hapur detyrimeve të tij ndërkombëtare. "Ne i njohim vdekjet dhe vuajtjet që ka sjellë mbështetja e terrorizmit nga Irani dhe ne mund ta përfytyrojmë se sa akoma më keq do të ishte nëse Irani do të lejohej të zotëronte armë bërthamore," tha Presidenti Bush.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike thotë se Irani vazhdon të pasurojë uranium me gjithë afatin e vënë nga komuniteti ndërkombëtar për ta pezulluar këtë lloj veprimtarie. Raporti i agjencisë ia ka kaluar çështjen Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku administrata e Presidentit Bush po bën presion që Iranit t’i vihen sanksione.

Presidenti Bush thotë se komuniteti ndërkombëtar i ka bërë Iranit një propozim të arësyeshëm për të ndalur pasurimin e uraniumit në shkëmbim të stimujve ekonomikë dhe diplomatikë. Deri tani, thotë Presidenti Bush, Irani është përgjigjur me sfida dhe vonesa të mëtejshme. "Ka ardhur koha që Irani të zgjedhë. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne do të vazhdojmë të punojmë nga afër me aleatët tanë për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Por qendrimi sfidues i Iranit duhet të shoqërohet me pasoja dhe ne nuk duhet ta lejojmë Iranin të prodhojë armën bërthamore,” tha Presidenti Bush.

Por jo të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit janë dakord me idenë se sanksionet përbëjnë përgjigjen më të mirë ndaj sfidës së Iranit. Kina dhe Rusia, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, kanë shprehur rezerva rreth idesë së imponimit të sanksioneve, duke thënë se kjo mund ta keqësonte më tej situatën.

Irani ngul këmbë se programi i tij bërthamor është për prodhimin e energjisë dhe pasurimi i uraniumit nga ana e tij i shërben veprimtarive kërkimore. Në komentet e bëra dje, që ishte edhe mbarimi i afatit të vënë Iranit për të pezulluar pasurimin e uraniumit, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, tha se nuk do të frikësohet dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta e vendit të tij për zotërimin e teknologjisë bërthamore.Irani thotë se është gati për bisedime për të zgjidhur mosmarrëveshjet me perëndimin.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se shefi i politikës së jashtme të Bashkimit, Havier Solana, foli në telefon me negociatorin iranian të çështjeve bërthamore, Ali Larixhani, dhe ata ranë dakord të takohen së shpejti.

Në fillim të javës tjetër, nënsekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Nikollas Burns, do të takohet në Evropë me përfaqësues të vendeve të tjera të përkershme të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë për të biseduar lidhur me sanksionet.

Zyrtarët amerikanë thonë se kanë besim që, të paktën seria e parë e masave ndëshkimore kundër Iranit do të miratohet brenda pak javëve.

Në Teheran, një zyrtar i lartë iranian tha se raporti i Agjencisë së OKB-së tregon se pretendimet amerikane për programin bërthamor të Iranit bazohen mbi iluzione.

Po të enjten, Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad tha se vendi i tij nuk do të gjunjëzohet para frikësimeve dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të zhvilluar teknologji bërthamore. //az//

XS
SM
MD
LG