Lidhje

Shqipëri: Zyrat do të regjistrojnë gjithë fundjavën studentët e vonuar


Në Shqipëri zyrat arsimore të çdo qyteti do të jenë të hapura dhe do të regjistrojnë gjithë fundjavën studentët e vonuar për në universitete. Mbi 95% e maturantëve mund të ndjekin studimet në një universitet publik. Rektorët e universiteteve kërkojnë shtim të pedagogëve, për të përballuar numrin e madh të studentëve.

Ministria e arsimit është në fazën e fundit të procedurave për çeljen e një viti akademik, i cili parashikohet të jetë i veçantë sidomos për nga numri i madh i të rinjve që do të ndjekin universitetet.

Kur kanë mbetur edhe 3 ditë nga skadimi i afateve të regjistrimit, ministria njoftoi se të gjitha zyrat arsimore në vend do të punojnë pa ndërprerje gjatë ditëve të fundjavës deri në pasditen e së hënës, për të ndihmuar ata gjimnazistë që janë të vonuar me regjistrimin dhe dokumente të tjera.

Procesi i maturës shtetërore është vlerësuar nga prindërit, gjimnazistët dhe specialistët e arsimit për transparencën, sa i takon rezultateve të provimeve të pranimit, dhe aktualisht pothuaj të gjithë fakultetet e universiteteve kanë publikuar listat me pikët e fituara nga konkurrentët.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës po mbikqyr nga afër procesin e pranimeve dhe ka dërguar inspektorët e saj në të gjitha universitetet. Zyrtarët e arsimit besojnë se transparenca dhe krijimi i kushteve për të pranuar sa më shumë studentë do t’u japin fund praktikave korruptive të viteve të kaluara.

Nga ana tjetër rektorët e universiteteve kanë bërë kërkesa të pandërprera për shtimin e numrit të pedagogëve. Konferenca e rektorëve ka marrë në shqyrtim nevojat e shtuara për mjedise të reja studimi dhe për futjen në punë të disa qindra pedagogëve të rinj, që krahas degëve të reja, do të duhet të përballojnë një numër studentësh gjithnjë në rritje.

Qeveria ka parashikuar dhe premtuar një shtim të konsiderueshëm të buxhetit për arsimin, dhe rritje të pagave të pedagogëve, por ende nuk ka publikuar informacione të detajuara, nëse fondet e reja do të vihen në shërbim të shkollave dhe universiteteve qysh në fillim të këtij viti universitar apo vitin tjetër.

Sipas të dhënave më të fundit, mbi 95% e maturantëve do të kenë mundësi të ndjekin studimet në një universitet publik të vendit. Gjatë këtij viti është hapur një universitet i ri si dhe disa fakultete e degë të reja në universitete të ndryshme. Kapacitetet pranuese janë dukshëm më të larta se në vitin 2005. //ii

XS
SM
MD
LG