Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ndodhet në Iran për bisedime


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan ndodhet në Iran për bisedime rreth programit bërthamor të Teheranit dhe armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Gjatë vizitës së tij dy-ditore, zoti Anan do të takohet me presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad.

Irani është një nga përkrahësit kryesor të Hezbollahut në Liban. Dje, zoti Anan u takua me zyrtarët në Siri, e cila është një përkrahëse tjetër e rëndësishme e grupit ekstremist.

Pas bisedimeve me presidentin sirian Bashar al-Asad në Damask, zoti Anan tha se Siria premtoi të rrisë numrin e patrullave përgjatë kufirit libanez për të parandaluar fluksin e armëve tek Hezbollahu.

Vizita e zotit Anan në Iran vjen dy ditë pasi Teherani nuk arriti t’i përmbahej afatit për pezullimin e programit bërthamor. Zyrtarët e Bashkimit Evropian po i diskutojnë zhvillimet në Finlandë dhe po bëjnë thirrje për negociata të tjera para se të vendosen sanksione të mundshme ndaj Iranit.

XS
SM
MD
LG