Lidhje

Raporti i Pentagonit thotë se në Irak ekzistojnë kushte për luftë civile


Një raport i ri i Pentagonit thotë se dhuna në Irak ka arritur në një pikë ku ekzistojnë kushtet për një luftë civile. Raporti i çdo tremujori që Pentagoni i paraqet Kongresit amerikan e citon si tepër shqetësuese shtimin e valës së dhunës në Bagdat dhe përreth tij.

Një komandant amerikan në zonë, koloneli Tom Vail thotë se forcat amerikane dhe irakiane kanë ndarë një pjesë të Adamijahs për ta pastruar nga ata që i quan “vrasës, rrëmbyes dhe terroristë”. Ai thotë se tani ka të tjera gjëra për t’u bërë.

“Udhëheqësit tanë janë takuar me zyrtarët vendorë për të përcaktuar kërkesat për sigurimin dhe shërbimet. Po përqëndrohemi në heqjen e mbeturinave, furnizimin me energji dhe ndihmën mjekësore. Grupet tona të marrëdhënieve civile po ndihmojnë në rihapjen e dyqaneve," thotë koloneli Tom Veil.

Por dhuna vazhdon në kryeqytetin irakian. Shkatërrimet në lagjen al-Mustansirijah në lindje të Bagdatit i ngjajnë atyre në al-Kahira apo në al-Harthijah në perëndim të Bagdatit.

“Dy makina ishin parkuar këtu dhe kur kaloi makina e patrullës policore, ato shpërthyen duke vrarë shumë të pafajshëm.”

Kolonel Vail thotë se forcat amerikane dhe irakiane kanë dislokuar burime të konsiderueshme për ta mbajtur dhunën nën kontroll.

“Forca ushtarake nuk është e mjaftueshme vetëm në një zonë. Kemi forca në mbarë Bagdatin: 34 batalione, 8 mijë policë 42 stacione policore, dhe grupe të tranzicionit në çdo batalion, thotë koloneli Tom Veil.”

Presidenti Bush të enjten i përshkroi kryengritësit irakianë si armiq të lirisë që janë të lidhur me terroristët e al-Kaidës dhe ekstremistët e Hezbollahut.

“Tipari i përbashkët i kësaj lëvizjeve, lidhja që nxit ndarjen sektare dhe pakënaqësitë lokale, është një bindje e fuqishme se shoqëritë e lira janë kërcënim për pikëpamjet e tyre të shtrembëruara të Islamit," thotë presidenti Bush.

Por disa analistë thonë se përqasja e presidentit është shumë e thjeshtëzuar. Farred Zakaria është redaktor i revistës Newsweek International.

“Mendoj se difekti kryesor strategjik është mendimi se të gjithë këto grupe janë të bashkuara. Ata nuk janë, dhe ne duhet të zbulojmë ndryshimet e tyre, dhe jo t’i fusim të gjithë në një kategori," thotë Fared Zakaria.

Shumica e dhunës në Bagdat përfshin vrasjet sektare midis myslimanëve suni dhe shiitëve. Kolonel Tom Vail thotë se terroristët dhe kriminelët ordinerë e komplikojnë situatën.

"Al-kaida është një nga kërcënimet. Grupet ektremiste të secilit besim fetar. Kemi grupe ekstremiste që po shfrytëzojnë situatën duke kërcënuar njerëzit, duke u kërkuar para dhe duke u përpjekur të pengojnë qeverinë e re. Ka edhe kriminelë ordinerë. Ka banda kriminale që shkelin ligjin”, thotë koloneli.

Në raportin e fundit të Pentagonit për kongresin amerikan thuhet se dhuna e tanishme në Irak nuk është një luftë civile por thekson se kushtet për një luftë të tillë ekzistojnë. Një raport i qeverisë irakiane thotë se 769 civilë u vranë në gusht. Më shumë se 1 mijë u vranë në korrik.

XS
SM
MD
LG