Lidhje

Dyqanet e vetëshërbimit përdorin teknologjinë, që klientët të qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë para në to


Dyqanet e vetëshërbimit të së kaluarës po zhvillohen me shpejtësi drejt një të ardhmeje me teknologji të lartë dhe tregëtarët inteligjentë kanë filluar me klientët më të vegjël në moshë. Rrjeti Publiks, në Atlanta të Xhorxhias, ka filluar të provojë karrocat e blerjes me ekran për të miturit. Prindërit mund të përqëndrohen tek blerjet ndërkohë që të vegjlit ulen në karrocë dhe shikojnë filmat e tyre të preferuar vizatimorë.

Tregëtarët thonë se karrocat me ekran kanë rritur të ardhurat, duke argëtuar të vegjlit, ndërkohë që prindërit qëndrojnë më gjatë në dyqan.

Në qoftë se karrocat me ekran nuk mjaftojnë për të tërhequr vëmendjen e fëmijëve, prindërit mund t’i çojnë ata tek një qendër lodrash.

Një i rritur kujdeset për fëmijët, në mënyrë që prindërit të përqëndrojnë më mirë vëmendjen tek mallrat, pa qenë nevoja të nxitohen. Ndërkohë ka edhe lodra me teknologji të lartë për të rriturit.

Një pllakë kompjuterike quhet “Miku i Blerjes.” Kompjuteri në miniaturë shënon të gjitha sendet në karrocë. Klientët mund të dërgojnë në formën e postës elektronike listën e sendeve që dëshirojnë të blejnë dhe kjo pajisje i informon nëse ndonjë nga sendet ka ulje çmimi, ose ju tregon vendndodhjen e tij në dyqan.

Menaxheri i marketingut të dyqaneve Stop and Shop, Majk Grims, thotë se nëpërmjet këtij lloj kompjuteri blerësit mund të bëjnë porosi në reparte të ndryshme të dyqanit dhe ata lajmërohen kur porosia është gati.

“Ky kompjuter ka dy të mira, të ndihmon të kursesh para dhe kohë.”

Në qoftë se kërkon të kursesh kohë, një peshore e kompjuterizuar me kamera, të ndihmon të gjesh frutat dhe perimet, i peshon dhe u vendos atyre çmimin automatikisht.

Dhe kur vjen koha për të paguar të nevojitet vetëm një gisht. Brenda disa sekondash kompjuteri identifikon shenjën e gishtit dhe tërheq shumën nga konti bankar i blerësit. Dy mijë dyqane në Shtetet e Bashkuara kanë tani teknologjinë biometrike të pagesës. Konsumatorët nënshkruajnë emrin, një kont bankar dhe japin shenjat e gishtave.

Disa dyqane evropiane po provojnë disa minitransmetues me radio tek mallrat që shesin. Pajisja informon blerësit nëse ushqimit po i afrohet afati i skadimit, ose nëse ka nevojë të rivendoset në frigorifer.

Ndoshta një ditë, si tregon reklama e IBM-it këta transmetues mund të bëjnë të mundur që nuk do të nevojiten as edhe shenjat e gishtave.

XS
SM
MD
LG