Lidhje

Bush: Lufta në Irak qenësore për fitoren mbi terrorizmin


Presidenti Bush dëshiron të bindë sa më shumë amerikanë se lufta në Irak është qenësore për parandalimin e një sulmi tjetër terrorist në Shtetet e Bashkuara. Demokratët e opozitës thonë që presidenti duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje forcimin të mbrojtjes amerikane kundër terrorizmit.

Presidenti Bush thotë se siguria e botës së civilizuar varet tek mposhtja e terroristëve në Irak. Ndërkohë që afrohet pesë vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington, presidenti po mban disa fjalime që synojnë rritjen e mbështetjes për një luftë, të cilën anketat e opinion publik tregojnë se amerikanët mendojnë të ketë qenë gabim.

Presidenti Bush vazhdoi thirrjen e tij për përkrahje edhe gjatë fjalimit të përjavshëm në radio, duke thënë se lufta në Irak është më shumë se një konflikt ushtarak. Ai thotë se ajo është lufta vendimtare ideologjike e shekullit të 21-të. “Nga njëra anë janë ata që besojnë tek liria dhe moderimi – e drejta e njerëzve për të folur dhe për të jetuar në liri. Nga ana tjetër janë ata që udhëhiqen nga tirania dhe ekstremizmi – e drejta e një pakice të vet-zgjedhur për të imponuar mendimet e tyre fanatike tek të tjerët."

Megjithëse presidenti thotë se fjalimet e tij të tanishme për Irakun nuk janë politike, lufta është e rëndësishme për një pjesë të mirë të fushatës së zgjedhjeve të nëntorit për në kongresin amerikan.

Demokratët e opozitës shpresojnë t’i vënë votuesit kundër kandidatit republikan që përkrah luftën. Presidenti Bush thotë se kritikët e tij nuk e kuptojnë se çfarë vihet në rrezik. “Këtu në Shtetet e Bashkuara disa politikanë thonë se alternativa më e mirë është tërheqja nga Iraku, pavarësisht nga situata në terren. Shumë nga këto njerëz janë të sinqertë dhe patriotë, por ata e kanë gabim. Nëse Amerika tërhiqet nga Iraku para se të jetë në gjendje të mbrohet, pasojat do të ishin katastrofike. Ne do t’ia dorëzonim Irakun terroristëve, duke u dhënë një bazë operacionesh dhe burime të mëdha nafte për të financuar ambiciet e tyre”, tha presidenti. Nëse forcat amerikane e braktisin luftën në rrugët e Bagdadit, presidenti Bush thotë se amerikanët do të përballen me sulme terroriste në vendin e tyre.

Në fjalimin e demokratëve në radio, anëtari i kongresit nga Misisipi Beni Thompson tha se administrata e presidentit Bush ka dështuar të sigurojë portet amerikane në masën e duhur, mjediset bërthamore dhe sistemet e transportit. “Pavarësisht nga paralajmërimet e shumta dhe tragjeditë natyrore që mund të jenë shkaktuar nga njeriu, administrata e presidentit Bush dhe kongresi me shumicë republikane nuk kanë arritur të përgatisin vendin tonë duke na lënë të dobët përpara tragjedive të mëdha.” Zoti Thompson, anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare në dhomën e përfaqësuesve, kritikoi gjithashtu qeverinë federale për përgjigjen e ngadaltë ndaj viktimave të uraganit Katrina një vit pasi stuhia goditi bregdetin amerikan në gjirin e Meksikës.

XS
SM
MD
LG