Lidhje

Presidenti Bush vazhdon fushatën për kandidatët republikanë

  • Scott Stearns

Tani që kanë mbetur vetëm 70 ditë deri në zgjedhjet për Kongresin, presidenti Bush po vazhdon intensivisht fushatën për kandidatët e Partisë Republikane të cilët përballen me sfida nga demokratët e opozitës, që kërkojnë të marrin kontrollin e të paktën njërës prej dhomave të Kongresit. Presidenti po përdor në fushatë të njëjtën strategji e cila e ndihmoi atë të rizgjidhej 2 vjet më parë, duke folur mbi tema të tilla si siguria kombëtare dhe kërcënimi nga terrorizmi.

Ndërkohë që miratimi i punës së presidentit nga publiku vazhdon të jetë në nivelet më të ulta, ai ke ende popullaritet të madh në radhët e partisë së tij.

Prandaj presidenti i është kthyer fushatës, në përpjekje për të ndihmuar kandidatët republikanë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Nuk është për t’u habitur që ai po përdor të njëjtën strategji e cila e ndihmoi të rizgjidhet 2 vjet më parë.

Javën e kaluar, duke folur përpara përkrahësve republikanë në shtetin jugor të Tenesisë, presidenti Bush tha se partia e tij u ofron votuesve një vizion pozitiv, i cili ndihmon në jetën e të gjithë amerikanëve.

“Po ju sjell një mesazh optimizmi. Partia jonë ka besim tek mençuria e popullit amerikan. Partia jonë i përballon vetë sfidat në vend që t’ua kalojë ato brezave të ardhëshëm.”

Presidenti Bush thotë se sfida më e rëndësishme është siguria e vendit nga sulme të tjera terroriste. Shumë demokratë të opozitës i kanë kritikuar disa nga masat e marra nga presidenti në emër të sigurisë kombëtare. Ndër to është programi i përgjimit të telefonatave pa marrë miratimin e gjykatës, si dhe miratimi i Aktit Patriot, që sipas kritikëve cënon liritë civile.

Presidenti Bush po përpiqet t’i shndërrojë këto kundërshtime në avantazh për republikanët, duke thënë se disa nga kritikët e politikës së tij nuk e kuptojnë thellësisht kërcënimin nga terroristët.

“Kam nevojë për njerëz në Uashington të cilët janë të gatshëm të pajisin me të gjitha mjetet ata që përgjigjen për mbrojtjen e Amerikës, me mjete të tilla si Akti Patriot, ose programi i përgjimit, pra, në qoftë se Al-Kaida telefonon në Shtetet e Bashkuara, ne kërkojmë të dimë arsyen,” u shpreh presidenti.

Demokratët e opozitës po përqëndrohen tek ajo që presidenti e ka cilësuar si epiqendra e luftës kundër terrorizmit, Iraku. Ndërkohë që shumica e amerikanëve tani besojnë se ishte gabim dërgimi i trupave amerikane për të rrëzuar Sadam Huseinin, afro dy të tretat e republikanëve ende e miratojnë strategjinë e presidentit në Irak.

Kritikët thonë se vazhdimi i angazhimit në Irak po heq vëmendjen nga një luftë më e gjerë kundër terrorizmit, duke zhvendosur fondet nga përmirësimi i sigurisë së kufijve dhe kapja e udhëheqësit të Al-Kaidës, Osama Bin-Laden.

Presidenti Bush thotë se në Irak rrezikohet siguria e botës së civilizuar. Ai thotë se mirëpret një debat mbi çështjen e Irakut. Debati mbi çështjen e sigurisë është i fituar, u shpreh ai përpara përkrahësve republikanë, në shtetin jug-perëndimor, Jutah.

“Do të ketë shumë debate në fushatën e zgjedhjeve të këtij viti. Do të ketë njerëz të mirë dhe patriotë të cilët do të thonë se duhet të largohemi nga Iraku, por ata e kanë gabim.”

Gjatë fjalimeve të fushatës, presidenti po flet gjithashtu edhe për problemet sociale të cilat mobilizojnë votuesit konservatorë, si zgjedhja e gjykatësve konservatorë dhe mbështetja federale për organizatat bamirëse fetare, për të cilën kritikët thonë se mjegullon ndarjen e kishës nga shteti.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, thonë se presidenti Bush do të vazhdojë fushatën për kandidatët republikanë në zgjedhjet legjislative të nëntorit, ndërkohë që demokratëve u nevojiten 6 vende që të marrin kontrollin e Senatit, për herë të parë që nga viti 2002.

Një rezultat i tillë mund t’u jepte fund shpresave të presidentit Bush për të arritur synimet e tij legjislative sepse shumë demokratë thonë se do ta shfrytëzonin shumicën që mund të fitojnë në Senat për të hetuar politikat e presidentit lidhur me luftën në Irak.//ii

XS
SM
MD
LG