Lidhje

Në prag të zgjedhjeve në Bosnje-Hercegovinë


Më 1 tetor, Bosnje-Hercegovina, ky vend i ndarë i cili dikur ka qenë pjesë e ish Jugosllavisë, do të zhvillojë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, të parat pas katër vjetësh. Analistët nuk janë optimistë se zgjedhjet mund ta shpejtojnë ecjen e vendit drejt bashkimit kombëtar dhe pajtimit etnik.

Në Bosnje, ndjenjat nacionaliste po rriten tani që partitë politike të lidhura me tre grupet etnike shpesh në grindje, po konkurrojnë për vota. Bruce Hitchner, profesor i Universitetit Tufts, i cili merr pjesë në përpjekjet për nxitjen e bashkëpunimit etnik, e përshkruan fushatën si tepër të ashpër por thotë se kjo nuk të habit aspak.

Myslimanët e Bosnjes, grupi më i madh etnik, po bëjnë gjithnjë e më tepër thirrje për shkrirjen e entitetit serb të Bosnjes, të krijuar në bazë të Marrëveshjeve të Dejtonit, të cilat i dhanë fund luftës civile shkatërrimtare në vitin 1995.

Disa politikanë serbë të Bosnjes kanë kërcënuar se do të mbajnë një referendum për t’u bashkuar me Serbinë, një hap që do të ishte në kundërshtim me Dejtonin. Hitchner thotë se politikanët e Bosnjes duhet të bëjnë lëvizje të kujdesshme kur kërkojnë ndryshime të marrëveshjeve të Dejtonit. "Të braktisësh Dejtonin dhe të argumentosh se kjo marrëveshje duhet fshirë fare për të patur bisedime të mëtejshme, kjo do të thotë të mos përfillësh faktin përparimin e arritur gjatë 10 vjetëve. Çdo proces i suksesshëm duhet të ketë patjetër kompromise nga të gjitha palët".

Stabilitetin në Bosnje e garantojnë trupat paqeruajtëse të Natos dhe të Bashkimit Evropian. Në fillim të këtij viti dukej sikur Bosnja po bënte përparim ndërkohë që filluan edhe negociatat e para të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe politikanët rivalë shprehën mbështetje ndaj një plani për reforma kushtetuese dhe forcuan qeverinë qendrore.

Mirëpo paketa e reformave nuk arriti për fare pak vota të merrte miratimin e parlamentit. Ranko Bakiç, serb i Bosnjes që udhëheq një parti të re shumetnike, thotë se frika është problemi më i madh me të cilin përballet Bosnja. Duke folur në Qendrën Uillson të Uashingtonit, Bakiç tha se politikanët e vendit kanë dështuar: "Ne nuk kemi një ekonomi të qendrueshme. Kemi një nivel të lartë krimi dhe korrupsioni. Jemi bërë një ndër vendet më të varfër të rajonit."

Bruce Hitchner i Universitetit Tufts thotë se rreziku është se zgjedhjet e tetorit, si në Federatën myslimano-kroate ashtuj edhe në entitetin serb, mund të forcojnë ndjenjat nacionaliste dhe ta bëjnë kompromisin më të vështirë për t’u arritur. "Më shqetëson më pak rifillimi i dhunës se sa forcimi i qendrimeve të tilla nacionaliste, që mund të çojë në një gjendje të bllokuar politike si dhe në shthurjen qoftë edhe të atij funksionaliteti politik që ekziston tani." Fushatat e ashpra parazgjedhore në Bosnje po i shqetësojnë por ende nuk i kanë alarmuar diplomatët që përpiqen aktivisht të nxisin stabilitetin në Ballkan.

Në rajon kanë ndodhur kohët e fundit ndryshime të rëndësishme: Mali i Zi i dha fund federatës me Serbinë duke u bërë një shtet i pavarur. Kosova, duket se po shkon drejt zgjidhjes së statusit të saj të ardhshëm nga fundi i këtij viti. 90 përqind e banorëve të saj kërkojnë pavarësinë, diçka që kundërshtohet me forcë nga pakica serbe dhe nga qeveria e Beogradit.

XS
SM
MD
LG