Lidhje

SHBA: të ardhurat e familjeve rriten, niveli i varfërisë nuk ndryshon


Në Shtetet e Bashkuara, shifrat e Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë, tregojnë se të ardhurat mesatare për familjet amerikane po rriten. Por niveli i varfërisë në vend mbetet i pandryshuar dhe numri i amerikanëve pa sigurime shëndetësore është në shifra rekord. Në vazhdim do t’ju njohim me ndikimin jo të njëllojtë që kanë disa prirje ndërkombëtare në mirëqenien e amerikanëve.

Të dhënat e Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë tregojnë se të ardhurat mesatare për një familje amerikane i kalojnë 46 mijë dollarë në vit, një rrritje prej 11 mijë dollarë që nga viti 1967. Nivelet e varfërisë gjatë këtyre viteve kanë shënuar luhatje, por që nga viti 2001, ato kanë mbetur të pandryshuara.

Aktualisht, 12,6 për qind e popullsisë, apo rreth 37 milionë amerikanë, konsiderohen të varfër. David Johnson, i Zyrës për Regjistrimin e Popullsisë thotë se rreth 47 milionë amerikanë nuk kanë sigurim shëndetësor. "Përqindja e njerëzve të cilëve ua mbulon sigurimin shëndetësor vendi i punës ka rënë nga 59,8 për qind, në 59,5 për qind në vitin 2005. Po ashtu, është pakësuar edhe numri i njerëzve që e mbulojnë sigurimin shëndetësor me paratë e tyre. Rritja e numrit të njerëzve pa sigurime mund të shpjegohet me rënien e këtyre dy treguesve". Mesatarisht, në Shtetet e Bashksuara, burrat kanë më tepër të ardhura se sa gratë. Amerikano-aziatikët fitojnë më tepër se sa të bardhët. Pas të bardhëve vijnë afrikano-amerikanët dhe pastaj hispanikët.

Zonat më të pasura në Shtetet e Bashkuara ndodhen në rrethinat e Washingtonit dhe më të varfërat në Teksas dhe në kufirin me Meksikën. Megjithatë, thotë ekonomisti Gary Burtless i Institutit Brookings, në Washington, imigrantët latino-amerikanë vazhdojnë të hyjnë me shumicë në vend. "Hyrja e tyre në Shtetet e Bashkuara, edhe pse i vë nën pragun e varfërisë, për ta shënon një përmirësim të jashtëzakonshëm krahasuar me nivelin në vendet e tyre. Dhe kjo shërben si nxitje e madhe që ata t’i shtojnë të ardhurat e familjeve të tyre".

Megjithë këtë përmirësim, pagat e ulëta të imigrantëve ndikojnë në uljen e të ardhurave mesatare në Shteteve të Bashkuara. Të dhënat e Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë flasin për një hendek në rritje mes të ardhurave të amerikanëve të të dyja ekstremeve. "Të ardhurat e familjeve që hyjnë në 20 përqindshin më të pasur përfaqësojnë gjysmën e të ardhurave të përgjithshme të vendit, ndërsa ato të 20 përqindëshit më të varfër kapin vetëm 3,4 për qind të të ardhurave të përgjithshme".

Ekonomisti i Institutit Brookings, Gary Burtless, thotë se rritja e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në Shtetet e Bashkuara është pasojë pjesërisht, e globalizimit dhe eksportimit të vendeve të punës. Ai thotë se ky fenomen bën që një pjesë më e madhe e të ardhurave kombëtare të transferohet nga punonjësit, tek punëdhënësit. "Mundësia e prodhimit në vende të tjera, si të mallrave, edhe të shërbimeve, ku pagat janë shumë më të ulëta dhe përfitimet më të mëdha, e rrit fuqinë e punëdhënësve mbi punëtorët".

Politikanët e të dyja partive kryesore në Shtetet e Bashkuara thonë se statistikat mbështesin politikat e tyre ekonomike. Sipas demokratëve, raporti tregon se shumica e familjeve që punojnë nuk po bëjnë përpara nga ana financiare.

Ndërsa Republikanët në pushtet, thonë se këto shifra flasin për një nivel të ulët të papunësisë, për rritjen e pagave dhe shtimin e vendeve të punës për amerikanët.

XS
SM
MD
LG