Lidhje

Rusia, Greqia dhe Bullgaria, dakord për naftësjellësin përmes Ballkanit


Kreministri grek, Kostas Karamanlis, njoftoi se në bisedimet e zhvilluara në Athinë me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë bullgar, Gregori Parvanov, u ra dakord për një kalendar pune që do t’u jepte formë përfundimtare synimeve për ndërtimin e naftësjellësit.

Të tre udhëheqësit thonë se kanë ndërmend të nënshkruajnë këtë vit një marrëveshje zyrtare mbi projektin, i cili do të bënte të mundur sjelljen e naftës bruto nga Rusia me cisterna në Bullgari.

Prej andej, nafta do të kalonte, përmes naftësjellësit, drejt portit grek Aleksandropulis për t’u transportuar drejt Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara. Me një kosto prej rreth 1 miliardë dollarësh, naftësjellësi do të pakësonte kohën dhe shpenzimet e transportit të naftës ruse për në tregjet perëndimore. Ky projekt do të ndihmonte gjithashtu në lehtësimin e bllokimit të ngushticës së Bosforit në Turqi, veçanërisht nga anijet e mëdha cisternë.

Plani për naftësjellësin u hartua fillimisht në vitin 1993, por nuk u pranua për shkak të kostos së ndërtimit dhe faktorë të tjerë, disa prej të cilëve, Presidenti Putin thotë se ishin politike.

“Përparim edhe më i madh është bërë për një naftësjellës më të gjatë në Siberi. Është koha të jemi të vetëdijshëm për interesat tona kombëtare duke ndërtuar një naftësjellës në Ballkan”, tha zoti Putin. Ai vuri në dukje se një naftësjellës tjetër në rajon, projekt i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i përuruar në korrik, përcjell naftë nga Azerbaixhani përmes Gjeorgjisë në Turqi, duke anshkaluar Rusinë.

Disa kompani ndërkombëtare nafte pritet të marrin pjesë në projekt, përfshirë kompani nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Rusia dhe Greqia. Por, Sergei Bogdantchikov, kreu i kompanisë kryesore shtetërore ruse, Rosnjeft, thotë se Rusia duhet të ketë rol kryesor në këtë sipërmarrje. “Kompanitë ruse duhet të gëzojnë pjesën më të madhe të projektit, meqenëse në naftësjellës do të kalojë naftë nga Rusia”.

Athina ishte ndalesa e parë e turneut të Presidentit Putin i cili do të shkojë edhe në Afrikë të Jugut dhe Marok. //az//

XS
SM
MD
LG