Lidhje

Rritja e numrit të të ardhurve nga vendet e reja anëtare të BE-së ngjall debate në Britani


Zgjerimi i Bashkimit Evropian me anëtarë të rinj në vitin 2004, u bë shkak për një valë imigracioni nga Evropa Lindore drejt Perëndimit më të pasur, sidomos drejt Britanisë. Shifrat e reja tregojnë se imigracioni i ligjshëm nga Evropa Lindore për në Britani i ka kaluar mjaft parashikimet e qeverisë, gjë që ka ngjallur një debat të ashpër.

Një mbrëmje plot punë në bar-restorantin luksoz të quajtur Albannach, shumë pranë sheshit Trafalgar. Evelina Shimanska nuk pushon së vrapuari duke marrë porositë e klientëve për koktejet me emra të ngatërruar.

Shimanska është njëra prej më shumë se 400 mijë punëtorëve të huaj, kryesisht të rinj që kanë shkuar nga Evropa Lindore në Britani këto dy vitet e fundit, pas zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo është krenare që është polake por edhe mirënjohëse për faktin që mund të punojë në Britani.

"Ndjehem tamam si evropiane. Kështu edhe jam rritur dhe kjo është gjë e mirë. Por gjithnjë më duket vetja si mysafire sepse ky nuk është vendi im. Vendi im do të jetë gjithnjë Polonia sepse unë jam lindur atje."

Në vitin 2004, kur 8 shtete të reja u anëtarësuan në Bashkimin Evropian, Britania ishte një tre vendet evropiane që vuri në zbatim politikën e hapjes së plotë të dyerve për punëtorët që vinin nga vendet e reja anëtare. Por shifrat e publikuara kohët e fundit tregojnë se imigracioni i ka kaluar së tepërmi parashikimet qeveritare që flisnin për 5 mijë deri në 13 mijë imigrantë në vit. 62 përqind e të ardhurve janë nga Polonia, siç është edhe Evelina Shimanska.

Nick Pearce, drejtor i Institutit Kërkimor për Politikën Publike, thotë se ky fakt ka rigjallëruar debatin e nxehtë për imigracionin në Britani, sidomos tani që dy vende të reja, Bullgaria dhe Rumania presin të anëtarësohen në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

"Ajo që e ka gjallëruar më tej debatin është fakti që Britania e ka hapur tregun e saj të punës për vendet e anëtarësuara rishtazi në Bashkimin Evropian si Polonia apo Sllovakia. Mirëpo në Britani kanë ardhur shumë më tepër imigrantë se sa parashikohej, kështu që njerëzit po debatojnë nëse kjo është diçka pozitive apo negative."

Përkrahësit e idesë së imigracionit të pakufizuar, ku hyjnë edhe presidentët e disa prej firmave më të mëdha britanike, argumentojnë se të posaardhurit bëjnë punë që britanikët nuk dëshirojnë t’i bëjnë, se ata punojnë shumë dhe nuk bëhen barrë për sistemin e shëndetësisë dhe të arsimit.

Këtë mendim ka edhe Jim Wrigley, menazher i bar-restorantit Albannach. Jo vetëm që shumë nga punonjësit e tij janë evropianolindorë, por edhe njeriu që kujdeset për pijet e shtrenjta të barit është imigrant nga Polonia, i cili e ka fituar me punë besimin e menaxherit.

"Ndoshta është një përgjithësim i tepruar por këta janë njerëzit më të gatshëm për të punuar. Paga për ta është mjaft e mirë kur fillojnë të punojnë këtu. Ata e kuptojnë se po të punojnë shumë, mund të fitojnë edhe më tepër. Ata kanë edhe aftësi të mira gjuhe, e mësojnë anglishten shumë shpejt."

Por ashtu siç ndodh edhe në Shtetet e Bashkuara kur diskutohet për imigracionin, kundërshtarët mendojnë se imigrantët u marrin vendet e punës britanikëve dhe bëjnë që të ulet niveli i pagave. Sir Andrew Green, ish amabsador që drejton organizatën Migration Watch, i thotë Zërit të Amerikës se qeveria duhet ta pezullojë ardhjen e imigrantëve të rinj.

"Pikpamja jonë është se duhet bërë një pauzë pasi numri i imigrantëve nga 8 vendet e anëtarësuara rishtazi ka qenë shumë më i madh se sa parashikimi dhe ka patur një ndikim të madh mbi tregun e punës."

Ai gjithashtu mohon me forcë akuzën se të shprehesh kundër imigracionit do të thotë të jesh racist, siç thonë mbështetësit e imigrantëve.

Evelina Shimanska thotë se e kupton se përse disa anglezë janë të shqetësuar për fluksin e imigrantëve të rinj.

"Po ta shikosh punën nga vështrimi i anglezëve, dikush mund të mendojë: oh po na vijnë gjithë këta të huaj, vendi ynë nuk është më Angli. Po na vijnë shumë nga Polonia, nga Australia, nga Brazili, nga vende të tjera evropiane. Nuk është më si Anglia e dikurshme. Por unë do t’u bëja atyre pyetjen: A është më keq kështu? Apo është më mirë?"

Sipas një njoftimi të fundit, zyrtarët britanikë po studiojnë mundësinë që të kërkojnë leje pune për bullgarët dhe rumunët, kur ata të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Me anë të këtij dokumenti, ata do të duhet të japin prova se janë në gjendje të plotësojnë mungesat e punëtorëve të kualifikuar në disa vende pune të caktuara.

XS
SM
MD
LG