Lidhje

SHBA: Lufta kundër terrorizmit dhe konflikti në Irak në fushatën zgjedhore për Kongres


Në Shtetet e Bashkuara ka filluar sezoni i fushatës për zgjedhjet ne Kongres. Lufta kundër terrorizmit dhe konflikti në Irak janë temat kryesore te fushates se politikaneve amerikane. Në këtë frymë ishte edhe debati me i fundit mes Presidentit Bush dhe demokratëve në opozitë. Demokratët thonë se si rezultat i politikave të administratës aktuale, amerikanët janë bërë më pak të sigurt, por Presidenti Bush thotë se terrorizmi nuk është thjesht rezultat i pakënaqësisë ndaj luftës në Irak.

Demokratët shpresojnë që të marrin në nëntor kontrollin e Kongresit amerikan, që tani është në duart e republikanëve. Drejtuesit e partisë u mblodhën në ambjentet e senatit, duke bërë thirrje të hapur për vota. Ja ç’thotë senatori Dick Durbin i Ilinoit. “Po t’i pyesësh amerikanët a është koha për një drejtim të ri, dy ndër tre prej tyre do të thonë ‘pa dyshim’”, thotë Senatori Durbin.

Ja ç’thotë anëtari i Kongresit nga Merilendi Steney Hoyer. “Ne besojmë se na duhet një drejtim i ri dhe se populli amerikan është i gatshëm për ketë,” thotë ligjvënësi Hoyer. Dhe gjenerali në pension Wesley Clark: “Duhet të ndryshojmë drejtimin dhe që të realizohet kjo, duhet ndryshuar udhëheqja,” thotë gjenerali Clark.

Këta demokratë thonë se politikat republikane në Irak kanë një kosto të lartë. Mbi 2 mijë e 600 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën dhe atje jane shpenzuar të paktën 300 miliardë dollarë. Demokratët thonë se amerikanët sot janë më pak të sigurt sesa kur filloi lufta në vitin 2003. Ja ç’thotë udhëheqësi i pakicës në Senat, Harry Reid: “Sulmet terroriste në te gjithë botën janë rritur 400 për qind. Regjimet në Iran, Korenë e Veriut dhe Siri kanë destabilizuar Lindjen e Mesme dhe botën”.

Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj me publikimin e një Raporti për Strategjinë Kombëtare, ku thuhet se terrorizmi nuk është thjesht rezultat i pakënaqësisë ndaj politikës amerikane në Irak. Në raport thuhet se sulmet e 11 shtatorit ndodhën para pushtimit të Irakut.

Presidenti Bush foli më gjerësisht në një fjalim në Shoqatën e Oficerëve të Ushtrisë. “Për dekada me radhë, politika amerikane është përpjekur të vendosë paqen në Lindjen e Mesme ne kërkim te qendrueshmërisë, duke sakrifikuar lirinë. Mungesa e lirisë në atë rajon kontribuoi në krijimin e kushteve të tilla, ku zemërimi dhe pakënaqësia u rritën, radikalizmi u zhvillua dhe terroristët gjetën rekrutët që u duheshin”, tha zoti Bush.

Presidenti ka filluar kohët e fundit t’i cilësojë terroristët islamikë si ideologë totalitarë të ngjashëm me fashistët e shekullit të 20-të dhe komunistët. Ai thotë se ata duhet të luftohen në Irak, që amerikanëve të mos u duhet t’i luftojnë ata në vendin e tyre.

Por senatori demokrat nga Delaware Thomas Carper thotë se Presidenti Bush duhet t’i kushtojë po aq entuziazëm, interes dhe kohë diplomacisë, sa i kushton konfliktit të armatosur. “Ai duhet të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar, me qeveritë e moderuara arabe për të arritur një marrëveshje mes grupeve sektare në Irak për të shmangur luftën civile. Ne duhet të punojmë me aleaetët për të realizuar një plan të vërtetë dhe të besueshëm paqeje në Lindjen e Mesme,” thotë senatori demokrat Carper.

Sipas anketave, pakënaqësia e votuesve me gjendjen në Irak ka kontribuar në uljen e numrit te njerezve që e mbështesin punën e presidentit Bush, nën 40 për qind. Analistët thonë se ky fakt mund të kthehet në një fitore për Demokratët e Kongresit në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG