Lidhje

Institucionet në Kosovë besojnë në kthimin e serbëve


Autoritetet vendase në Kosovë ankohen se kompetencat që po i jepen nga administrata ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, nuk mund të zbatohen në praktikë. Ministri i drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Jonuz Salihaj, thotë se institucionet vendase në Kosovë besojnë në procesin e kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova, por edhe në procesin e përgjegjësisë. "Mund të kthehet edhe ai që ka rënë ndesh me ligjin, por organet e gjyqësisë do të merren me të", thotë ministri Salihaj, duke komentuar përpjekjet për dënimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Janë kaluar një pjesë e kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek autoritetet vendore. Ju jeni shprehur se një pjesë e mirë e këtyre kompetencave, edhe janë dhënë, edhe nuk janë dhënë. Çfarë do të thotë kjo në praktikë në punën tuaj?

Jonuz Salihaj: Kjo është ajo logjika e punës së UNMIK-ut në Kosovë. Logjika e punës së UNMIK-ut në Kosovë ka qenë që zyra ligjore të jep dicka dhe nuk të jep. Do të thotë në letër ne kemi disa kompetenca, kur vjen puna tek zbatueshmëria praktike, në të vërtetë nuk i kemi.

Zëri i Amerikës: Është folur shpesh për pjesën veriore të Kosovës dhe mungesën e funksionimit të institucioneve vendase në atë pjesë të vendit. A funksionon sistemi gjyqësor i vendit edhe atje apo ju po funksiononi paralel në atë pjesë me strukturat e sistemit gjyqësor të Serbisë?

Jonuz Salihaj: Kemi bërë një hap pothuajse vendimtar me këto zyrat ndërlidhëse për gjykatat që thashë. Kam pasur takime në të gjitha qendrat e Kosovës dhe një nga takimet e mia të para ka qenë në pjesën veriore të Mitrovicës. Unë kam biseduar me të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, edhe të Leposaviqit, edhe të pjesës veriore të Mitrovicës, edhe të Zubin Potokut. Unë nuk kam pasur mundësi të jap përgjigje në një pyetje shumë të thjeshtë. Kur tri gjyqtare të asaj pjese më kanë thene: ne jemi në gjendje të punojmë për sistemin e drejtësisë së Kosovës, në këtë moment që kam ardhur në takimin tuaj si ministër, jam shpallur tradhtare për pjesën tjetër, çfarë ofroni ju që ne të jemi pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Më thotë, mua më ofron pagë Serbia pa punuar fare, 500 euro, kurse ju më ofroni më pak.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet që përmenden vazhdimisht është hetimi, gjykimi dhe dënimi i autorëve të trazirave të marsit. Edhe për këtë ka pasur mjaft kritika, në fakt, a mund të kishit bërë ju më shumë brenda kompetencave që keni?

Jonuz Salihaj: Ndoshta po. Së pari, qeveria e Bajram Rexhepit e ka marrë këtë përgjegjësi. Ju e dini që ngjarjet e marsit kanë ndodhur në vitin 2004, po ashtu ka pasur presion të madh ndërkombëtar. Ju e dini kush ka qenë përgjegjës për sigurinë, ka qenë UNMIK-u, por edhe ne nuk duam t’i ikim pjesës tonë të përgjegjësisë. Problemi është që rastet më të ndërlikuara i kanë prokurorët ndërkombëtarë, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë. Rastet më të rënda, 8 raste përshembull vazhdojnë të jenë pengesë për t’u zgjidhur, që kryesisht procedohen nga ndërkombëtarët.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët e Kosovës shpesh herë kanë ngritur problemin e mungesës së hetimit dhe dënimit të krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga qytetarë të Kosovës, serbë të Kosovës, të cilët sipas tyre janë ende në Kosovë, ose në pjesën veriore të saj ose janë në Serbi. Janë krime për të cilat ka dëshmitarë që akuzojnë persona të caktuar me emra, mbiemra për krime…

Jonuz Salihaj: Për fat të keq, në një pjesë të territorit nuk kemi kontroll që nga 1999. Pjesa e pakontrolluar e territorit nga pushteti i Kosovës, nga IPVQ-të ka qenë një pjesë ku praktikisht kanë shëtitur të gjithë kriminelët që kanë bërë krime në Kosovë, militarët, të ushtrisë jugosllave, por edhe para-militarët, që banorët tanë I njohin me emër dhe mbiemër, që i kanë parë shpesh herë dhe që në njëfarë mënyrë janë ende jashtë ligjit. Ne besojmë edhe në procesin e kthimit të serbëve, por edhe në procesin e përgjegjësisë. Mund të kthehet edhe ai që ka rënë ndesh me ligjin, por organet e gjyqësisë do të merren me të.

XS
SM
MD
LG