Lidhje

DiKarlo: Prishtina dhe Beogradi të tregohen më elastikë


Zyrtarët amerikanë u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregohen më elastike në procesin e tanishëm të bisedimeve për statusin e Kosovës. Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore Rosemary DiCarlo i tha Zërit të Amerikës se zgjidhja për statusin duhet të jetë realiste. Ajo i bëri komentet pas takimit që Presidenti i Serbisë Boris Tadiç pati në Uashington me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe me zyrtarë të tjerë.

Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, diplomatja me përvojë në çështjet e Ballkanit, Rosemary DiCarlo u bëri jehonë komenteve të Sekretares Rajs në takimin me Presidentin e Serbisë, se palët duhet të tregohen konstruktive dhe realiste në bisedimet për statusin. "Mendoj se stabiliteti i rajonit dhe nxitja e integrimit të rajonit në institucionet euro-atlantike janë dy objektivat kryesore për Evropën Juglindore. Natyrisht ne do të na duhet ta zgjidhim statusin e Kosovës në kontekstin e këtyre dy objektivave. Ne duhet të gjejmë zgjidhje realiste që do ta bënin Kosovën të përparonte si një shoqëri shumëtnike dhe një zgjidhje që të ishte e pranueshme për popullin e Kosovës".

Zonja DiCarlo nuk iu referua formës konkrete që do të ketë zgjidhja, diçka që zyrtarët amerikanë e evitojnë në deklarata publike, por ajo theksoi se në rajon nuk mund të arrihet stabiliteti pa u zgjidhur statusi i Kosovës. "Ne mbetëm shumë të kënaqur kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan vendosi të fillonte procesin e negociatave. Ajo që do të çonte në destabilizim e rajonit do të ishte nëse çështja e Kosovës do të mbetej e pazgjidhur." DiCarlo tha se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje deri në fund të këtij viti. Por ajo e pranoi se çështja e statusit është shumë e ndërlikuar për shkak se ngërthen shumë ndjenja dhe shumë faktorë.

Deklaratat e bëra dje në Fondacionin Heritage nga Presidenti i Serbisë Tadiç pas takimit në Departamentin e Shtetit vunë edhe një herë në dukje se sa të papajtueshme janë qëndrimet e palëve në negociata. Zoti Tadiç tha se qeveria e tij nuk synon të sundojë Kosovën, por ai theksoi se Serbia kërkon të mbrojë të drejtat e pakicës serbe të Kosovës. Ai paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar po anon nga një zgjidhje e rrezikshme, si për Kosovën, ashtu edhe për rajonin. "Duhet të pohoj se Kosova është një ndër problemet më të dhimbshme për Serbinë, por jo vetëm për Serbinë. Ky mund të bëhet një problem shumë i rrezikshëm nëse zgjidhja arrihet me një vendim të imponuar. Aktualisht komuniteti ndërkombëtar po anon nga një zgjidhje që i ngjet më tepër pavarësisë sesa autonomisë."

Presidenti Tadiç theksoi se njohja e pavarësisë për Kosovën do të ishte shkelje e kushtetutës së Serbisë dhe mospërfillje e ligjit ndërkombëtar, por do të shndërrohej gjithashtu në një pararendës të rrezikshëm për prirje separatiste në rajon dhe më gjerë: "Qendrimi zyrtar i Serbisë, që është njëkohësisht edhe qëndrimi im është autonomia. Nuk mendoj se Kosova është një rast unik. Mendoj se duhet të marrim parasysh të gjitha pasojat e mundshme dhe parimet gjatë procesit të negociatave. Këtë qëndrim kam theksuar në takimet me zyrtarët amerikanë. Unë kam shpjeguar qëndrimin e Serbisë, por kam theksuar jo vetëm interesat e Serbisë, por edhe stabilitetin e rajonit."

Deri tani nuk ka pasur ndonjë përparim në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ndërmjetësit ndërkombëtarë thonë se do të shterohen të gjitha mundësitë para se të hedhin propozimin e tyre për zgjidhjen e statusit politik.

Në intervistën e saj zonja DiCarlo ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për ish Presidentin e Finlandës dhe tha se zoti Ahtisari po bën përpjekje të shumanshme për të gjetur një zgjidhje realiste për statusin e Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG