Lidhje

Mbyllen pa përparime të dukshme bisedimet dyditëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit


Në Vjenë janë mbyllur sonte bisedimet dyditëshe ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për decentralizimin e pushtetit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe të drejtat e pakicave kombëtare. Përveç pak përparimeve në bisedimet e sotme për mbrojtjen e tarshëgimisë kulturore e fetare në Kosovë, nuk është shënuar ndonjë rezultat në çështjet tjera.

Zëvendës kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka deklaruar se bisedimet ishin konstruktive, por e qujati lajm të keq faktin që ato u mbyllën pa ndonjë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve, përveç në çështjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Delegacioni i Beogradit është shprehur i gatshëm për të kthyer në Kosovë thesaret arkeologjike që janë marrë para dhe gjatë luftës, vendim ky që është vlerësuar nga delegacioni i Prishtinës. Por mospajtimet mbeten të njëjta rreth mbrojtjes së objekteve kulturore e fetare. Beogradi kërkon krijimin e 39 zonave të mbrojtura përreth kishave e manastireve ortodokse në Kosovë.

Në takimin e sotëm delegacioni i Beogradit ka pohuar se ka bërë lëshim duke theksuar se zonat e mbrojtura duhet të përfshijnë 5 mijë e 500 në vend të 6 mijë e 500 hektarëve sa janë kërkuar deri tani. Prishtina ka ofruar mundësinë për krijimin e 14 zonave të mbrojtura, ndërsa ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë propozuar 21. Më vonë gjatë këtij muaji pritet një raund i ri bisedimesh për këtë cështje. Pa asnjë përparim janë mbyllur edhe bisedimet mbi të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë, në të cilat Prishtina ka paraqitur krijimin e mekanizmave të posaçëm për mbrojtjen e komuniteteve.

Beogradi ndërkaq nuk pranon që serbët e Kosovës të trajtohen si pakicë dhe për këtë arsye, anëtarët e delegacionit të Beogradit nga radhët e serbëve të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në takim. Dje, delegacionet biseduan për cështjen e decentralizimit të pushtetit në Kosovë, që cilësohet si tema më e mprehtë e bisedimeve për cështje të vecanta që po zhvillohen në kuadër të negociatave për statusin e Kosovës. Ata u morën vesh që më 15 shtator të zhvillohet një raund i ri bisedimesh për decentralizimin rreth të cilit qëndrimet janë shumë të ndara. Prishtina ka ofruar krijimin e 5 komunave të reja dhe zgjerimin e një komune ekzistuese më shumicë serbe, ndërsa Beogradi kërkon krijimin e të paktën 12 komunave me shumicë serbe. Mospajtimet janë të thella edhe rreth përgjegjësive të komunave dhe lidhjeve të tyre me Beogradin.

Zëvendës kryenegocioatori Albert Rohan e ka vlerësuar faktin se sic ka thënë, “Prishtina ka bërë një numër lëhsimesh para këtij takimi por për fat të keq e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për palën tjetër”. Ai ka nnëvizuar ndërkaq se do të vazhdohen përpjekjet për të arritur përparim në çështjet e vecanta për aq kohë sa është e nevojshme, para se të hidhet propzimi i ndërmjetsuesve për statusin politikë të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG