Lidhje

Të mbijetuarit kujtojnë sulmin e 11 shtatorit në Pentagon


Amerikanët do ta kujtojnë 11 shtatorin e vitit 2001 edhe këtë vit, me mënyra të ndryshme. Disa do të marrin pjesë në ceremoni kishtare. Të tjerë do të shkojnë nëpër marshime dhe ceremoni përkujtimore. Por disa njerëz do ta kujtojnë përvjetorin në mënyrë më personale.

Në orën 9:43 të mëngjezit, rreth një orë para se avioni i parë të përplasej në Qendrën Botërore të Tregëtisë, avioni i linjës ajrore American Airlines me numër fluturimi 77 u përplas në pjesën perëndimore të ndërtesës së Pentagonit. Oficeri i sigurisë i Pentagonit, John Yates e kujton me saktësi këtë moment.

“Më kujtohet që nga mbrapa meje erdhi një si lëmsh flake dhe po ashtu, nga ana e majtë po nga mbrapa; më kujtohet gjithashtu që u hodha përpjetë në ajër dhe që dhoma ku ndodhesha u nxi plotësisht”.

Yates ishte njëri prej atyre që qëlluan me fat.

"Pësova djegie të gradës së dytë dhe të tretë në 38 per qind të trupit, nga koka, në shpinë dhe në qafë. Në duar dhe në të dyja krahët pata djegie të gradës së tretë, për të cilat m’u desh të operohesha tre herë”.

Të tjerëve, u janë ngulitur në kujtesë detaje të tjera.

Majori William Stout ishte lejtnant policie në divizionin e antiterrorizmit. Ai kujton një skenë kaosi të plotë, si në një film të tmerrshëm.

“Në njërën anë të ndërtesës u bë një vrimë, njerëzit vraponin nga të gjitha anët. Për shumë ditë me radhe gjenim vazhdimisht copra avioni të shpërndara kudo”.

Por 5 vjet pasi nga qielli u duk sikur binin rreshje flakësh, Tom Heidenberger thotë se çdo përvjetor është në vetvete një tjetër kujtesë për humbjen e të dashurve atë ditë.

“Fatkeqësisht, kur mendon për përvjetorë, në mendje të vijnë përvjetorë martese, apo diplomimi... Por 11 shtatori për mua është përvjetori i vdekjes së gruas sime”.

Gruaja e Heidenbergut, Michele, ishte njëra nga stjuardesat e avionit 757 të destinuar për t’u rrëzuar, me 64 pasagjerë në bord. Heidenberger kujton me doza ironie, fjalët e fundit që i tha gruas: “rrugë të mbarë”.

“Akoma mund të them se nuk e pranoj dot realitetin, sepse ende shoh herë pas here nga dera anësore e shtëpisë, me mendimin se ajo do të kthehet përsëri”.

Per ta mbajtur gjallë kujtimin e së shoqes, Heidenberger mori pjesë në një udhëtim me biçikletë 33 ditësh në muajin prill nëpër Amerikë, nga një ditë për secilin anëtar ekuipazhi që vdiq në çdo njerin nga tre avionët e rrëzuar.

“Nga e gjithë kjo ngjarje duhet të dalë diçka pozitive. Me pak fjalë, ne nuk mund ta lemë pa kujtuar sakrificën e 184 vikimave të Pentagonit, dhe as të 3 mijë vitkimave që humbën jetën atë ditë. Nuk mund ta lemë këtë ngjarje të shkojë pa u kujtuar”.

Të njejtën ndjenjë ka edhe Rosemary Dillard. Bashkëshorti i saj Eddie ndodhej në avionin me numër fluturimi 77.

“Ai ishte ulur në vendin 5B dhe rrëmbyesit e avionit ishin në vendet 5E dhe 5F. Kishim 15 vjet martesë. Burri im ishte shumë i mirë dhe një njeri i nderuar”.

Ashtu sikurse shumë të tjerë që humbën të dashurit e tyre, Rosemary i është dedikuar çështjes, që vikitmat e 11 shtatorit të mos harrohen kurrë.

Rosemaria ka punuar pa pushim për të sigurar fonde për ndërtimin e një memoriali për nderimin e 189 njerëzve që u vranë në Pentagon.

“Synimi im është që ky memorial të ndërtohet dhe të qendrojë këtu për 100 vjet”, thotë ajo.

“Thuhet se koha i shëron plagë, por në rastin tim më duket se nuk do të shërohen kurrë plotësisht”, thotë majori Stout.

“Dhe ditët më të vështira janë mëngjeset kur në qiell nuk ka asnjë re”.

Për Rosemary Dillard, do të ketë përherë një pyetje që ajo ja ka bërë vetes çdo ditë në këta 5 vjet...

“Si mund të ndodhte kjo gjë në një nga mëngjeset më të bukura që ka krijuar i madhi Zot?”

XS
SM
MD
LG