Lidhje

Presidenti Bush kërkon miratimin e komisioneve ushtarake


Presidenti Bush do që Kongresi të miratojë komisionet ushtarake për të gjykuar udhëheqësit e dyshuar terroristë që mbahen nën arrestin amerikan. Si presidenti ashtu edhe demokratët e opozitës po flasin për çështjet e sigurisë kombëtare në prag të pesëvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Ndërsa amerikanët përgatiten për të shënuar këtë përvjetor, Presidenti Bush thotë se ata nuk e harrojnë brutalitetin e armiqve që goditën si dhe vendosmërinë e vendit për t’i mposhtur ata. Kështu, presidenti po i kërkon Kongresit që të miratojë komisionet ushtarake për t’i nxjerrë para gjyqit të dyshuarit si terroristë.

“Sapo Kongresi të autorizojë krijimin e këtyre komisioneve ushtarake, ne do të ndjekim penalisht këta persona dhe t’u dërgojmë një mesazh të qartë atyre që vrasin amerikanë: ‘Sado kohë që të duhet, ne do t’ju gjejmë do t’ju vëmë para drejtësisë”.

Mes atyre që presidenti dëshiron që të gjykohen para komisioneve janë 14 të dyshuar që janë mbajtur të ndaluar fshehtas nga CIA. Presidenti Bush e pranoi publikisht javën e kaluar ekzistencën e programit që ishte më parë sekret, duke thënë se ata të dyshuar po mbahen tani në bazën e marinës amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë.

“Ky program ka qenë shumë i vlefshëm për sigurinë e Amerikës dhe aleatëve të saj dhe na ka ndihmuar të identifikojmë dhe të kapim persona për të cilët komuniteti ynë i zbulimit mendon se ishin arkitektët kryesorë të sulmeve të 11 shtatorit”.

Pa informacionet e nxjerrë nga marrja në pyetje sekrete e CIA-s, thotë Presidenti Bush, zyrtarët amerikanë të zbulimit besojnë se terroristët e al-Kaidës do të kishin arritur të realizonin me sukses një sulm tjetër brenda Shteteve të Bashkuara.

Presidenti e përdori fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të bërë një përmbledhje të një sërë fjalimesh që ka dhënë për terrorizmin para përvjetorit të 11 shtatorit. Disa demokratë të opozitës thonë se Presidenti Bush po e politizon çështjen duke shpresuar të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e kongresit në nëntor.

Ndërsa sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve e mbështesin mënyrën sesi po e drejton presidenti luftën kundër terrorizmit, ata e përkrahin shumë më pak luftën në Irak për të cilën disa demokratë thonë se e largon vëmendjen nga lufta kundër terrorizmit.

Në fjalimin e demokratëve në radio, anëtari i Kongresit nga Ohajo Sherrod Brown kritikoi presidentin dhe udhëheqësit republikanë në Kongres për ato që ai i quajti mosveprim dhe vonesa që kanë shkaktuar dështim në mbrojtjen më të mirë të kufinjve dhe objekteve bërthamore të Amerikës.

Zoti Brown thotë se është koha për ta kthyer përsëri vëmendjen në shkatërrimin e al-Kaidës duke ndaluar atë që ai e quan angazhimin pa një afat të përcaktuar në Irak.

“Iraku nuk ishte pjesë e luftës kundër terrorizmit para ndërhyrjes ushtarake, ndërsa tani është kthyer në një terren për stërvitjen e terroristëve dhe një mjet rekrutimi për udhëheqësit e al-Kaidës dhe organizata të tjera terroriste. Gadishmëria jonë ushtarake ka rënë në nivele të papara ndonjëherë që pas luftës së Vietnamit, i ka pakësuar burimet për luftën kundër terrorizmit dhe e ka bërë amerikën më pak të sigurt”.

Presidenti Bush thotë se Iraku është fronti qendror në luftën kundër terrorizmit. Nëse trupat amerikane nuk i luftojnë terroristët atje, thotë ai, amerikanëve do t’u duhet t’i luftojnë ata brenda vendit. Presidenti dhe zonja Bush do ta shënojnë përvjetorin e 11 shtatorit duke vizituar secilin nga vendet e sulmeve, aty ku ishte Qendra Botërore e Tregëtisë në New York, fusha në Pensilvani ku u rrëzua një nga avionët e rrëmbyer dhe Pentagoni.

Presidenti Bush do të mbajë gjithashtu një fjalim nga Shtëpia e Bardhë për të cilin zyrtarët thonë se nuk do të jetë politik, por një reflektim për kuptimin e 11 shtatorit për vendin dhe luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG