Lidhje

Shanksvile, Pensilvani: Pese vjet pas 11 shtatorit 2001


Shtetet e Bashkuara po përkujtojnë një prej ngjarjeve më të hidhura në historinë e tyre. Atë ditë Amerika u trondit në 3 zona të ndryshme: në New York, afër Uashingtonit dhe në Pensillvani. Rrëzimi i avionit të shoqërisë ajrore United 93, nuk u analizua mirë nga media, për shkak të tronditjes që shkaktoi ajo ditë. Më vonë u mësua se njerëzit në avionin, që u rrëzua në Pensillvani, ishin përpjekur të rimerrnin kontrollin e avionit nga terroristët. Tani, planet janë që në vendin e rrëzimit të ndërtohet një përkujtimore.

Zhurma e makinave që dikur nxirrnin qymyr në zonë është shuar dekada më parë. Vinçat e ndryshkur rrethojnë tani këtë tokë të shenjtë. Mesazhe falenderimi dhe respekti, nga vizitorë që nuk kishin dëgjuar asnjëherë më parë për këtë vend para 11 shtatorit 2001. Dhjetra mijëra njerëz vijnë nga mbarë bota në Somerset të Pensilvanisë. Vendi administrohet nga Xhef Reinbold i Shërbimit të Parkut Kombëtar. “Rreth 130 mijë njerëz vijnë në këtë vend që është pak a shumë një parkim i rrethuar nga ku mund të shihet fusha. Një numër vizitorësh vijnë pa u dashur të reklamojmë ne, është e jashtëzakonshme”.

Gardhi shërben jo vetëm për të rrethuar vendin e ngjarjes. Ai bashkon lutjet dhe dëshirat e njerëzve të ndryshuar pas asaj ngjarjeje që transformoi përgjithmonë këtë minierë të braktisur.

Ky është vendbanimi i fundit për 40 pasagjerët dhe ekuipazhin e avionit United 93 të cilët u përpoqën të rrimerrnin kontrollin e avionit nga terroristët që e rrëmbyen atë. Gjatë asaj përleshjeje avioni u përplas këtu, në zemër të Pennsylvanisë. Donna Glessner kujton zhurmën e asaj dite: “Papritur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Zhurmë. Shtëpia u trondit. Dritaret dridheshi dhe më pas ikën dritat”.

Tronditja e asaj dite ndryshoi këtë komunitet të vogël. Glessner drejton tani grupin Ambassadors të vullnetarëve që u tregon vizitorëve vendin e ngjarjes. Ajo e di mirë mësimin e nxjerrë nga 11 shtatori. I vëllai i zotit Gordon Felt, Eduardi, ishte pasagjer në avionin United 93. Gordoni e ka bërë rrugën nga New Yorku disa herë në vit për të vizituar këtë përkujtimore të përkohshme. “Është prekëse kur kujton se shumë nga njerëzit që vijnë këtu duan të lenë diçka, një shenjë. Mendoj se njerëzit gjejnë lidhje me këtë përkujtimore. Fakti është se ndër ata 40 pasagjerë mund të ishte secili prej nesh”.

E bija e Debora Borzas, Debora Bodli, ishte me të vëllanë e Gordon Feltit në avionin me numër 93. “Pasagjerët dhe ekuipazhi i avionit morrën një vendim. Dhe për mua ky vendim do të sillte ndryshimin më të madh. Ndryshimin më të madh për njerëzit në mbarë botën. Kjo përkujtimore që po ndërtohet u jep mundësinë njerëzve në botë të vijnë këtu për të kuptuar ndryshimin që mund të sjellin vetë ata”.

Model prej druri në zyrat e Parkut Kombëtar ishte fituesi i konkursit për përkujtimoren. Ai përdor të gjithë peisazhin që rrethon vendin e përplasjes, gati 400 hektarë tokë.

Fushata për Përkujtimoren Kombëtare të avionit United 93 ka nevojë, si për grante publike, ashtu edhe për donacione private për të filluar ndërtimin. Disa korporata kanë dhuruar deri tani më shumë se 10 milionë dollarë. Objektivi për ta përfunduar projektin deri në 11 shtator të vitit 2011 – dhjetë vjet pas sulmeve – kërkon 58 milionë dollarë.

XS
SM
MD
LG