Lidhje

Debati mbi ndryshimin e klimës


Megjithë mendimin e përgjithshëm shkencor se zhvillimi njerëzor po ç'rregullon klimën e Tokës dhe shpejton ngrohjen globale, disa shkencëtarë thonë se është e pamundur të përcaktohet saktësisht se cili është shkaku i ngritjes së tempereturës.

Shumica e shkencëtarëve të klimës janë të mendimit se veprimtaria njerëzore, veçanërisht djegia e hidrokarbureve, rrit nivelin e gazeve-serë si dyoksidi i karbonit në atmosferë. Gazet-serë bllokojnë çlirimin e energjisë diellore nga Toka, duke shkaktuar rritjen e temperaturave. Megjithatë skeptikët thonë se nuk ekziston ndonjë mënyrë për matjen e ndikimit të veprimtarisë njerëzore tek klima. Disa argumentojnë se askush nuk e di se sa do të rritet temperatura dhe sa mund të ndikojë në Tokë. Shkencëtarë të tjerë ankohen se nuk arrijnë të sigurojnë fondet e duhura për studimet e tyre, pasi kjo ngrohja globale është politizuar tepër. Megjithatë shumë shkencëtarë akuzojnë korporatat energjitike se po financojnë studime të shkencëtarëve skeptikë ndaj ngrohjes globale për të argumentuar kundër pakësimit të përdorimit të karburanteve.

Disa shkencëtarë sugjerojnë se ngrohja globale mund të jetë pjesë e cikleve klimaterike tek të cilët njeriu nuk mund të ketë asnjë ndikim. Bill Gray në Universitetin e Kolorados thotë se njerëzit nuk kanë faj për ngrohjen globale. “Jam i bindur se ndryshimi i temperaturave gjatë 30 vjetëve kanë ndodhur kryesisht për shkaqe natyrore dhe ndryshime në qarkullimin e ujrave në oqeane dhe nuk janë pasojë e gazeve-serë të prodhuara nga njeriu”. Profesor Gray thotë se në historinë e vet Toka u është nënshtruar cikleve të rritjes dhe ngritjes së temperaturave që zakonisht shkojnë nga 30 në 35 vjet.

Por shumë shkencëtarë janë të alarmuar nga ritmi i prirjes së fundit të ngrohjes globale. George Woodwell i Qendrës Kërkimore Woods Hole në Masaçusets është kundër hipotezës së paraleleve historike të klimës. “Është krejtësisht dukuri e re për civilizimin dhe Tokën. Këto ndryshime ndoshta nuk kanë ndodhur kurrë me kaq shpejtësi në të kaluarën. Ky është ndryshimi më i madh i mjedisit në historinë njerëzve. Edhe pse ka patur ndryshime të mëdha të klimës në të kaluarën, ato nuk kanë ndodhur kurrë me këtë ritëm dhe me pjesëmarrjen e 6,5 miliardë njerëzve”. Sipas Kombeve të Bashkuara, përqindja e dyoksidit të karbonit në atmosferë është rritur afër 30 për qind që nga 1750-a, më shumë se kurrë në 650 mijë vjetët e fundit.

Ndërkohë skeptikët thonë se është e vështirë të bëhet dallimi ndërmjet dyoksidit të karbonit dhe ndotjeve industriale. Pavarësisht nëse të dyja palët e debatit mbi ngrohjen globale arrijnë në mirëkuptim sa u përket rreziqeve të ndryshimit të klimës dhe në ç’shkallë janë njerëzit fajtorë për këtë, qeveritë, grupet për mbrojtjen e mjedisit dhe disa korporata energjitike në mbarë botën kanë filluar tashmë të marrin masa për pakësimin e gezeve-serë në përpjekje për të stabilizuar klimën në botë. //rd//

XS
SM
MD
LG