Lidhje

SHBA: Republikanët dhe demokratët debatojnë mbi politikat për Irakun


Demokratët në Kongres kanë dhënë për disa ditë konferenca shtypi në Kongres për planet e tyre të sigurisë, që ata shpresojnë se do t’i bindin amerikanët t’u kthejnë atyre shumicën në Kongres.

Mes të tjerash, demokratët janë zotuar se, nëse amerikanët u japin atyre shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në nëntor, ata do të vënë në zbatim të gjitha rekomandimet e komisionit të pavarur të 11 shtatorit dhe do të veprojnë më me kompetencë për mbrojtjen ndaj terrorizmit.

Senatorja Hillary Clinton, që shikohet si kandidate e mudshme për presidente në zgjedhjet e vitit 2008, u bëri këtë sfidë republikanëve: “Le të zhvillojmë një debat të mirëfilltë rreth sigurimit tonë real. Mjaft më me fotografi, me fjalime dhe me retorikë të ashpër”.

Megjithëse ka qënë mes kritikëve më të ashpër të politikës së Presidentit Bush në Irak dhe të sigurimit kombëtar, Senatorja Clinton ka bërë thirrje për një platformë të përbashkët me republikanët për këto çështje.

Një tjetër pretendent për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008, Senatori demokrat, Joseph Biden, shprehu një qendrim më të ashpër në një fjalim që mbajti në Klubin Kombëtar të Shypit këtu në Uashington, ku kritikoi politikën e pas 11 shtatorit të Presidentit Bush për masa të rrepta goditëse. “Sigurimi i vërtetë vjen nga parandalimi dhe jo nga goditja e menjëherëshme. Bashkëpunimi me partnerë të fuqishëm është më i mirë se sa acarimi i marrëdhënieve me partnerët tanë”.

Udhëheqës demokratë me influencë, si udhëheqësi i pakicës në Senat, Harry Reid, thonë se fjalimet e Presidentit Bush para ceremonive të 11 shtatorit, janë politikisht të motivuara.

Nga ana e tyre, republikanët e kanë bërë të qartë se nuk do t’i lënë demokratët të paraprijnë kur është fjala për Irakun, kërcënimet terroriste dhe sigurinë, disa nga çështjet kyçe që do të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultateve të zgjedhjeve të nëntorit.

Republikanët iu kthyen edhe çështjes së sigurimt të kufijve, duke theksuar se ato janë forcuar gjatë administratës së tyre.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë zotuar se do të miratojnë ligje të reja për sigurimin e kufijve dhe imigracionin para fundit të shtatorit, kur ligjvënësit të fillojnë fushatën për zgjedhjet e nëntorit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dennis Hastert, thotë: “Miliona njerëz kalojnë kufirin dhe hynë në Shtetet e Bashkuara çdo vit, pa dokumente, duke shmangur pikat e kontrollit, dhe ne nuk dimë se cilët janë ata, çfarë sjellin me vete, dhe për çfarë qëllimi vinë”.

Ky është një problem serioz për të cilin edhe brenda vetë partisë republikane ka mosmarrëveshje se si të reformohet sistemi i imigracionit.

XS
SM
MD
LG