Lidhje

Parlamenti serb votoi me shumicë dërmuese që Kosova të shpallet në kushtetutë pjesë historike dhe integrale e Serbisë


Parlamenti serb votoi me shumicë dërmuese që në kushtetutën e vendit të përfshihet një dispozitë, në të cilën Kosova deklarohet pjesë historike dhe integrale e Serbisë.

219 ligjvënës votuan dje për këtë deklaratë, ndërkohë që 5 ligjvënës votuan kundër. Parlamenti vendosi gjithashtu se duhet të shqyrtojë miratimin sa më parë të kushtetutës së re.

Kryeministri Vojisllav Koshtunica, u bëri thirrje ligjvënësve ta miratonin këtë deklaratë. Ai tha se Serbisë po i kërkohet të turpërojë veten, duke lejuar që Kosova të bëhet shtet i pavarur. Në komentet e tij, zoti Koshtunica ritheksoi se Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës.

Bisedimet për statusin filluan në shkurt, por ende nuk është arritur një marrveshje mes shqiptarëve, që kërkojnë pavarësinë dhe serbëve, të cilët këmbëngulin se nuk do të heqin dorë asnjëherë nga Kosova.

Në një raport që i paraqiti dje Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan shprehu zhgënjim për atë që e cilësoi si mungesë të një qëndrimi të përbashkët mes delegacionit shqiptar dhe atij serb. Ai bëri thirrje për më shumë fleksibilitet.

XS
SM
MD
LG