Lidhje

Rreziku i rrëmbimit kërcënon gazetarët perëndimore


Gazetarët e huaj për madiat perëndimore janë përballur gjithmonë me rreziqe në terren. Por kohët e fundit ata janë kthyer në shënjestër me vlerë të madhe. Ata janë rrëmbyer madje edhe vrarë nga grupe terroriste të cilët kërkojnë të bëjnë të njohur kauzën e tyre. Kjo u ka ndodhur veçanërisht gazetarëve perëndimorë që punojnë në Lindjen e Mesme.

Luftërat, kryengritjet dhe trazirat politike janë disa nga ngjarjet që mbulohen tradicionalisht nga gazetarët. Ata veprojnë si sytë dhe veshët e një segmenti të gjerë të publikut dhe shpesh rrezikojnë veten për të marrë të dhënat e ngjarjes.

Por, që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, gazetarët perëndimorë janë vënë në shënjestër më shumë se më parë. Frank Smith i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, një grup jo qeveritar për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve kudo në botë, thotë.

“Unë mendoj se gazetarët janë shpesh në shënjestër për shkak të asociimit me Shtetet e Bashkuara, sidomos në vendet e Lindjes së Mesme. Ky fenomen nuk është vënë re në të kaluarën dhe në jemi të shqetësuar.”

Gazetari amerikan Daniel Përl, u rrëmbye dhe u ekzekutua me prerje koke nga terroristët në Pakistan në vitin 2002. Xhill Karol gjithashtu u rrëmbye nga fillimi i këtij viti dhe u mbajt për më shumë se dy muaj nga kryengritësit.

Kohët e fundit korrespondenti Stiv Sentani, i rrjetit Fox News dhe kameramani Olaf Uig, u rrëmbyen në Gaza dhe dolën në video duke u lutur që t’u falej jeta. Ata u liruan pasi u konvertuan në myslimanë të kërcënuar me armë. Kameramani Uig foli më pas për pasojat që mund të ketë ky akt i rëndë për gazetarinë.

“Shqetësimi im më i madh është në të vërtetë, se si rezultat i atyre që na ndodhën ne, gazetarët e huaj nuk do të kenë më kurajon të shkojnë në Lindjen e Mesme për të mbuluar ngjarjet dhe kjo do të jetë një tragjedi e vërtetë për popullin palestinez, sodomos për atë në Gaza.”

Frank Smith, thotë se shqetësimet e zotit Uig janë të justifikuara.

“Puna për gazetarët e huaj është bërë më e rrezikshme dhe si rezultat do të jepet vetëm njëri këndvështrim i ngjarjeve. Në këtë mënyrë amerikanët dhe të tjerë do të kenë, për fat të keq, një pamje të shtrembëruar të ngjarjeve.”

Vrasjet dhe kërcënimet kanë qenë me kohë një problem për gazetarët në vendet në zhvillim. Në Meksikë, për shembull, sulmet ndaj gazetave janë të zakonta kur ata publikojnë artikuj mbi trafikimin e drogës.

Në Filipine gazetarët stërviteshin për të përdorur armë, pas një serie sulmesh kundër tyre.

Megjithatë, Frenk Smith, nga Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se mënyra më mirë për të ndaluar aktet e dhunës kundër gazetarëve, është publikimi i rasteve të abuzimit, pa marrë parasysh burimin.

“Ne duhet të bashkëpunojmë me grupet e medjave perëndimore, arabe dhe të rajoneve të tjera anembanë botës, për të krijuar solidaritet dhe për të mbrojtur idenë se gazetarët kanë të drejtën të kryejnë punën e tyre, pa marrë parasysh origjinën e gazetarëve ose rajonin ku ata shkojnë për të mbuluar ngjarje.

Megjithë këto përpjekje, puna e gazetarit mbetet një profesion i rrezikshëm, në veçanti për korrespondentët e huaj.

XS
SM
MD
LG