Lidhje

FMN-ja dakort me parametrat e qeverisë shqiptare për buxhetin e 2007-ës


Në Tiranë, qeveria shqiptare dhe një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga Istvan Szekely, shefi i misionit për Shqipërinë, arritën në një marrëveshje në parim për parametrat kryesorë të buxhetit për vitin 2007.

Projekti i hartuar nga autoritetet shqiptare është në linjë me angazhimet e marra nga qeveria për një përmirësim të mëtejshëm të administrimit fiskal dhe rritjen e të ardhurave, si dhe me rritjen e shpenzimeve në infrastrukturë dhe sektorët e Shëndetësisë dhe arsimit. Për punonjësit e këtyre sektorëve është parashikuar dhe rritja më e madhe e pagave.

Në dallim nga viti 2006 për vitin e ardhshëm buxheti do të rritet me 360 milion dollarë. Shefi i Misionit të Fonidt Monetar vlerësoi projektin e hartuar nga autoritetet shqiptare duke cilësuar se buxheti për vitin 2007 është mbështetur në parametra realist. Ai theksoi se do të ketë një rritje të investimeve në infrastrukturë duke shpjeguar se është rënë dakort me autoritet që të rritet edhe fondi për mirëmbajtjen e veprave publike. Në projekt nuk janë parashikuar reduktime të taksave. Një ndërhyrje në këtë drejtim mund të realizohet në mesin e dytë të vitit 2007 bazuar në të ardhurat shtesë që mund të mblidhen.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se gjatë muajve në vazhdim dhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të konsolidohen ndërhyrjet fiskale që u bënë me buxhetin shtesë të këtij viti si dhe do të shihen edhe efektet e marrëveshjes me Bashkimin Europian e cila parashikon heqjen apo uljen e taksave doganore për shumë mallra. Autoritetet shqiptare thanë se po punojnë për të ruajtur parametrat e parashikuara të inflacionit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u shpreh se Banka do të përdorë të gjthë mekanizmat për të parandaluar tendencat rritëse të inflacionit mbajtjen e tij brenda normave 2-4 përqind. //rd//

XS
SM
MD
LG