Lidhje

DiKarlo premton vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, edhe pas zgjidhjes së statusit


Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit, Rosemary Di Karlo, e cila filloi sot një vizitë dy-ditore në Prishtinë, ku erdhi nga takimi i Grupit të Kontaktit në Sofje, u bëri thirrje të gjitha palëve që të jenë fleksibël dhe theksoi vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, edhe pas zgjidhjes së statusit. Zonja Di Karlo theksoi mbështetjen për kryenegociatorin Marti Ahtisari, i cili është përballur me kritika të ashpra nga zyrtarët serbë që kanë kërkuar largimin e tij nga ky post.

Pas përfundimit të takimit të djeshëm të Grupit të Kontaktit në Sofje, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit Rosemary Di Karlo, u takua sot në Prishtinë me udhëheqësit vendas me të cilët bisedoi lidhur me ecurinë e deritashme të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Zonja Di Karlo theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për kryenegociatorin Marti Ahtisari, i cili është përballur me kritika të ashpra nga zyrtarët serbë që kanë kërkuar largimin e tij nga ky post. Di Karlo: “Dua të theksoj diçka, komuniteti ndërkombëtar mbetet i angazhuar për negociatat që janë në vazhdim e sipër, duke mbështetur fuqishëm presidentin Ahtisari; ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të jenë fleksibël, për të arritur një përfundim të kënaqshëm të këtij procesi; bashkësia ndërkombëtare do të mbetet e angazhuar pas zgjidhjes së statusit, qoftë në aspektin ushtarak, qoftë në atë civil.”

Zonja Di Karlo tha se i kishte kërkuar negociatorëve të Kosovës që të ruajnë unitetin dhe të jenë fleksibël. “I kërkuam Grupit i Unitetit që të punojë në mënyrë konstruktive me presidentin Ahtisari, të punojnë shumë për të ruajtur unitetin që kanë pasur deri tani, ndërkohë që negociatat po i afrohen fazës përfundimtare të zgjidhjes së statusit”. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Stefan Lehne, theksoi nevojën për të punuar së bashku me partnerët vendas për vendosjen e zyrës ndërkombëtare që do të funksionojë në Kosovë pas zgjidhjes së statusit. “Diskutuam edhe për cështjen e pranisë së ardhshme ndërkombëtare, Ka një marrëveshje të gjerë se duhet të jetë një prani ushtarake dhe civile në të ardhmen, mirëpresim fuqishëm ftesën e presidentit, duam të punojmë për këto cështje si partnerë dhe të hapim një dialog intensiv për këto cështje me partnerët tanë vendas këtu”. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, i cili bazohet në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, duhet të fillojë përgatitjet për largimin e tij.

Zv.kryeadministratori ndërkombëtar Stiven Shook, pohoi se transferimi i kompetencave duhet të bëhet nga fillimi i vitit të ardhshëm. “Nuk kemi alternativë tjetër, duhet të fillojmë një planifikim fillestar në një mënyrë shumë të përgjegjshme. Ajo që ndryshon nga kalimet e mëparshme të kompetencave tek institucionet vendore është prania e një zyre ndërkombëtare, që do të zëvëndësojë UNMIK-un, pas përcaktimit të statusit”.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu mbështeti në emër të udhëheqësve vendas nevojën për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë. Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit Rosemary Di Karlo u takua sonte në Prishtinë edhe me përfaqësuesit e pakicës serbe dhe të pakicave jo-serbe. Zonja Di Karlo pritet që të vizitojë të enjten pjesën veriore të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG