Lidhje

Një analizë e re në lëkurë mund të ndihmojë në kurimin e  Alcajmerit në fazat e para


Kërkuesit thonë se ka mundësi që së shpejti të diagnostikohet shkencërisht sëmundja e alcaimerit, pa qenë nevoja që të pritet konfirmimi i autopsisë, pasi vdes pacienti. Kërkimet klinike në Shtetet e Bashkuara kanë provuar efektivitetin e një analize në lëkurë e cila mund të ndihmojë në trajtimin në fazat e para të sëmundjes dhe ndoshta një ditë në kurimin e saj.

Këto pamje tregojnë atë që quhet ‘pllakat dhe mpleksjet’ në tru. Ato sinjalizojnë grumbullimin e një proteine e cila dëmton qelizat e trurit. Sëmundja e alcaimerit është një parregullsi progresive e cila prek kujtesën logjikën, të folurin dhe gjykimin. Pesë përqind të pacientëve me sëmundjen e alcaimerit e trashëgojnë nëpërmjet një gjeni të familjes, por për shumicën e rasteve faktori kryesor është mosha. Doktor Daniel Alkon, nga Instituti Blanshet Rokfeller.

"Sa më shumë plakemi aq më tepër mund të prekemi nga kjo sëmundje.”

Zoti Alkon, ka udhëhequr kërkimet për një diagnostikim në fazat e para të sëmundjes së alcaimerit, në Institutin e Neuroshkencave Blanshet Rokfeller, pranë Uashingtonit. Ai ka ndihmuar në zhvillimin e një testi në lëkurë i cili konfirmon praninë e një fryrjeje në trup dhe në tru.

“Ne mund të identifikojmë disa proteina specifike në qelizat e lëkurës, të cialt reagojnë ndryshe tek pacientët me sëmundjen e alcaimerit.”

Sëmundja e alcaimerit nuk është e vetmja e cila çon në humbjen e memorjes, por është e vetmja formë e cila nuk jep simptoma të tjera fizike. Pikërisht për këtë, mjekët e kanë të vështirë ta zbulojnë në fazat e para. Sa më e avancuar të jetë sëmundja aq më i lehtë është diagnostikimi dhe fatkeqsisht aq më e vogël është mundësia për t’u kuruar.

Masa parandaluese si ushtrimet intensive për trupin dhe trurin sugjerojnë se të moshuarit mund të mënjanojnë ose shtyjnë sëmundjen e alcaimerit. Mendohet se duke ruajtur një formë të mirë fizike dhe mendore, përmirësohet funksionimi i gjakut në pjesët e trurit që përdoren për memorjen. Por ndërkohë që brezat e pas Luftës së Dytë Botërore shkojnë drejt plakjes, ka një presion më të madh për gjetjen e një kure. Doktor Alkon shikon një potencial tek një ilaç i quajtur Briostatin, i cili është përdorur në kërkimet mbi kancerin.

“Për njohuritë e deritanishme ky është njëri nga ilaçet e para që ka një potencial për të kuruar simptomat dhe procesin e degjenerimit të qelizave të trurit.”

Do të duhet kohë që qeveria të miratojë një ilaç ose një vaksinë të mundëshme. Për tani doktor Alkon thotë se, sa më shpejt të bëhet e mundur analiza e lëkurës aq më të madha janë shanset për një kurim në fazat e para.

“Kjo do të ishta ideale, sepse ne do të kishim një fillim të mirë në parandalimin e sëmundjes.”

XS
SM
MD
LG