Lidhje

Qeveria e Kosovës dënon atentatin ndaj Ministrit të Brendshëm


Autoritetet në Kosovë njoftuan sot për një përpjekje për atentat kundër Ministrit të Brendshëm të Kosovës, në makinën e të cilit ishte vendosur një paisje shpërthyese. Autoritetet thanë se shpërthimi që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm nuk shkaktoi viktima në njerëz. Ministri i Brendshëm Fatmir Rexhepi ndodhej në banesën e tij në kohën kur ndodhi shpërthmi.

Një shpërthim i fuqishëm u raportua në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në afërsi të banesës së Ministrit të Brendshëm të Kosovës Fatmir Rexhepi, në Gjilan, pa shkaktuar viktima në njerëz. Autoritetet thanë se makina e ministrit ishte dëmtuar dhe se vetë ministri gjendej në banesën e tij në kohën kur ndodhi shpërthimi. Mendohet se mjeti shpërthyes ishte vendosur nën veturën e ministrit. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë ndaluar 2 persona. Autoritetet në Kosovë e dënuan incidentin duke e cilësuar sulm ndaj institucioneve të vendit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga organet e rendit që autorët e këtij akti kriminal të kapen dhe të vihen para organeve të drejtësisë. Kryetari i parlamentit ka thënë se akte të tilla janë të orientuara kundër qetësisë dhe stabilitetit në Kosovë, në një moment vendimtar të përpjekjeve për përfundimin e proceseve lidhur me statusin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ky akt është edhe atentat ndaj përpjekjeve që po bën Kosova për ndërtimin e një shoqërie të lirë, demokratike, ku autoritet suprem është ligji dhe rregull i padiskutueshëm zbatimi i tij. Qeveria tha se është e përkushtuar të luftojë pa kompromis aktivitetet jo-ligjore dhe kriminale dhe do të kujdeset që çdo rast i tillë të marrë ndëshkimin e merituar. "Në këtë kohë të intensifikimit të procesit të statusit përfundimtar të Kosovës është e domosdoshme ruajtja e qetësisë si dhe një ambienti me tolerancë zero ndaj dhunës dhe krimit”, theksoi qeveria e kryeministrit Agim Çeku.

Kryesia e LDK-së në mbledhjen e sotme me kryetarët e degëve, tha se ky akt është i orientuar kundër institucioneve të Kosovës, ndaj zhvillimit të demokracisë, ngritjes së kapaciteteve të institucioneve demokratike, si dhe ndaj proceseve tepër të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tha se akte të tilla kriminale e dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe e shndërrojnë atë në një vend të pasigurt për të gjithë.

XS
SM
MD
LG