Lidhje

Senatorët Charles Schumer dhe John McCain marrin çmimin për Paqen në Ballkan nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane


Mbrëmë në një nga mjedist e Kongresit amerikan, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane u dha senatorëve Charles Schumer dhe John McCain Çmimin për Paqen në Ballkan. Kolegia Isabela Çoçoli ndoqi ceremoninë dhe përgatiti kronikën në vazhdim.

Senatorët Charles Schumer dhe John McCain janë laureatët e çmimit të gjashtë për Paqen në Ballkan që jep Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Kryetari i kësaj organizate, ish kongresmeni, Joe DioGuardi i dha Senatorit Schumer, i cili ishte vetë i pranishëm, shqiponjën e gdhendur në mermer nga zona e Krujës, të vendosur në një piedestal druri qershie me dedikimin përkatës të gdhendur në një pllakë metalike.

Senatori Schuman, nga New Yorku, që vjen nga familje hebrejsh, së pari vlerësoi me këtë rast punën dhe sukseset e komunitetit shqiptar të New Yorkut si një kontribut për ndërtimin e Amerikës.

“Jam shumë krenar për komunitetin shqiptaro-amerikan të New Yorkut në ndërtimin e Amerikës. Dua të theksoj edhe kontributin e shqiptarëve për strehimin dhe mbrojten e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore në përvjetorin e 61-të çlirimit të kampeve naziste të vdekjes. Ju, shqiptarët na dhatë neve strehim duke rrezikur veten e familjet tuaja. Dhe për këtë unë u jam për jetë mirënjohës".

Senatori Schumer tha se në memorialin Jad Vashef të ngritur në Jerusalem në kujtim të viktimave të Holokausit, janë edhe emrat e 63 shqiptarëve si njerëz të drejtë e të ndershëm, pra njerëz që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve që as nuk i njihnin. Shumë pak të huaj e kanë emrin në atë memorial, tha senatori Schuman, dhe ky është një numër shumë i madh veçanërisht për një vend të vogël si Shqipëria.

Senatori Schuman shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë çmim, dhe i tha ekskluzivisht Zërit të Amerikës se ndjehej tejet i nderuar të mbante në duar shqiponjën shqiptare.

“Do të dëshiroja të thosha se jam shumë i nderuar për këtë çmim, sepse së pari, komuniteti shqiptaro-amerikan është pjesë aktive e qytetit tim të New Yorkut, dhe së dyti, ne nuk harrojmë se Shqipëria, një vend tolerant, ka bërë kaq shumë për hebrejtë gjatë dhe pas Holokaustit”.

Çmimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Paqen në Ballkan u jepet çdo vit ligjvënësve dhe politkanëve jo shqiptarë dhe profesionistëve të ndryshëm, që kanë dhënë një ndihmesë të konsiderueshme për dimensionin shqiptar të konfliktit ballkanik dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Laureatë të këtij çmimi janë gjenerali Wesly Clark, Senatori Joseph Biden, kongresmenët Henry Hide, Tom Lantosh, Ben Gilman, Dana Rohabacher, dhe Ileana Ros-Lehtinen.

Në ceremoninë që u zhvilluan mbrëmë në një nga mjediset e Kongresit amerikan për Senatorët Charles Schumer dhe John McCain, ishin të pranishëm kongresmenët Tom Lantosh dhe Dana Rohabacher, anëtarë të bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, zv/ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edit Harxhi, Drejtori Ekzekutiv i Kongresit Hebraik Amerikan, Neil Goldstein, dhe të ftuar të tjerë.

XS
SM
MD
LG