Lidhje

Presidenti Bush i quan të pabaza shqetësimet mbi variantin e tij të ligjit për trajtimin e të dyshuarve si terroristë


Presidenti Bush thotë se kundërshtimi i disa senatorëve brenda partisë së tij mund të sjellë mbylljen e një programi të marrjes në pyetje të terroristëve për të cilin ai thotë se është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e vendit.

Presidenti Bush thotë se kongresi duhet të veprojë për të shpëtuar programin hetues të Agjencisë Qendrore të Zbulimit për të cilin ai thotë se ka ndihmuar në zbulimin e komploteve terroriste, duke përfshirë sulme të planifikuara brenda Shteteve të Bashkuara dhe në një bazë të marinës amerikane në Afrikën lindore, në konsullatën amerikane në Pakistan dhe në aeroportin Heathrow të Londrës. Presidenti Bush thotë se programi që më parë ishte sekret është në rrezik për shkak të një vendimi të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, i cili kërkon që komisionet ushtarake të cilat presidenti donte t’i përdorte për të gjykuar terroristët e dyshuar, duhet të autorizohen nga kongresi.

Presidenti kërkon që të miratohet një legjislacion i cili do të lejonte që provat sekrete të mos u paraqiten të pandehurve gjatë gjykimit. Ai do që dëshmitë e marra me forcë të lejohen si prova, dhe që hetuesit amerikanë të jenë të mbrojtur nga ndjekja penale për përdorimin e metodave që mund të shkelin Konventën e Gjenevës. Por disa senatorë të rëndësishëm republikanë nuk janë dakort. Ata thonë se ato rregulla nuk përputhen me standartet kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata e Lartë dhe mund të rrezikonin trupat amerikane në vendet e huaja nëse ato vende do të vendosnin të bënin një interpretim tjetër të Konventës së Gjenevës sipas mënyrës së tyre.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se legjislacioni i miratuar nga komisioni i senatit për forcat e armatosura i kryesuar nga republikanët javën e kaluar do të bënte që programi i CIA-s të mbyllej meqenëse ai nuk i mbron hetuesit amerikanë nga ndjekja e mundshme penale për shkelje të detyrimeve ndaj traktateve ndërkombëtare. “Ekzistojnë mosmarrëveshje rreth propozimeve specifike në këtë projektligj, dhe administrata ime do të punoj me kongresin për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Unë kam një sprovë për këtë legjislacion: komuniteti i shërbimeve sekrete duhet të jetë në gjendje të më thotë mua se projektligji që kongresi do të ma dërgojë mua do të lejojë që ky program të vazhdojë ", tha zoti Bush.

Me senatorët republikanë, të kryesuar nga ish robi i luftës John McCain, të cilët janë kundër planit të presidentit, u bashkua edhe ish sekretari i shtetit Colin Powell i cili shkroi këtë javë se veprimet e presidentit do të bënin që bota të dyshonte në bazat morale të luftës së Amerikës kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG