Lidhje

Fordi shkurton një numër të madh vendesh pune që të ruajë aftësitë konkurruese


Kompania e prodhimit të makinave Ford shpalli një plan të rëndësishëm ristrukturimi ku përfshihen mbyllje uzinash dhe një shkurtim i madh vendesh pune. Drejtuesit e kompanisë thonë se u duhet të ulin koston me më shumë se 5 miliardë dollarë që të ruajnë aftësitë konkurruese.

Kompania Ford thotë se do të shkurtojë 10 mijë vende të tjera pune dhe do t’u bëjë oferta për një pagesë të caktuar nëse lënë punën të 75 mijë punonjësve që paguhen me orë pune. Presidenti i Fordit Mark Fields thotë se konkurrenca ka ndryshuar dramatikisht dhe shkurtimet janë të nevojshme për mbijetesën e kompanisë.

“Si pjesë e këtyre shkurtimeve do të ulim koston që lidhet me rrogat me rreth një të tretën, ose 14 mijë vende pune. Këtë do ta realizojmë duke ofruar dalje para kohe në pension, largime me dëshirë dhe nëse është e nevojshme me shkurtime të pavullnetshme vendesh pune”.

Kompania Ford thotë se punonjësit që largohen vetë do të marrin paketa që kapin shifrën nga 35 deri në 140 mijë dollarë në varësi të viteve të punës dhe sa të drejtë kanë të përfitojnë pension. Sindikata e Punonjësve për Prodhimin e automjeteve e ka miratuar marrëveshjen por shumë punëtorë thonë se janë të shqetësuar.

“Mendoj se shumë njerëz janë ende disi të tronditur. Mendoj se shumë njerëz ende nuk e pranojnë”, thotë njëri prej tyre.

“Unë do të doja të vazhdoja punën. Ne që kemi aq shumë vite pune çfarë do të bëjmë?”, thotë një punonjës tjetër.

Por drejtuesit e Fordit thonë se nuk kishin rrugëdalje. Redaktori i lajmeve për ekonominë në rrjetin televiziziv ABC, Dan Arnall thotë se rënia në shitjen e makinave të mëdha dhe kamionëve dhe rritja me shpejtësi e kërkesave për makina më të vogla dhe më ekonomike e ka dëmtuar rëndë kompaninë.

“Fordi ka humbur 1.3 miliardë dollarë gjatë vitit të fundit. Është një shumë e madhe dhe kompania është në gjendje të keqe. Problemi është se ata kanë kapacitet të tepruar. Ata kanë uzina që prodhojnë makina që njerëzit nuk duan t’i blejnë”.

Kompania ka ndër mend të mbyllë 16 uzina në Amerikën e Veriut duke e ulur kapacitetin e prodhimit me 26 për qind. Jerry Reynolds që për 14 vjet ka menaxhuar me sukses në Dallas të Teksasit një qendër shitjesh të Fordit bën përgjegjëse kompaninë se nuk i është përshtatur me shpejtësi ndryshimeve të tregut.

“Ato gjëra që e bënë Fordin aq të suksesshëm dhe të kishte përfitime të mëdha për 10 vjet rresht mund të jenë arsyet që sot po e dëmtojnë”.

Fordi e ka pranuar nevojën për ndryshime drastike në linjën e vet të prodhimit dhe thotë se ka në plan të nxjerrë pesë modele të reja duke ruajtur njëkohësisht epërsinë në segmentet e kamionëve dhe makinave të mëdha. Ristrukturimi do ta pakësojë krahun e punës në Amerikën Veriore të Fordit nga 130 mijë në rreth 90 mijë punëtore deri në fund të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG