Lidhje

Shqiperi: Reforma zgjedhore - vazhdojnë akuzat reciproke


Edhe pas marrëveshjes për reformën zgjedhore, maxhoranca dhe opozita në Shqipëri po akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e saj. Partia Socialiste e opozitës ka ftuar në një takim në fillim të javës përfaqësuesit e Partisë Demokratike të cilët nënshkruan marrëveshjen, për të nxitur edhe një herë tjetër vullnetin politik të palëve në mbarëvajtjen e reformës zgjedhore.

Bashkëkryetari socialist i komisionit të posacëm parlamentar për reforman zgjedhore, Ben Blushi, tha të djelën se maxhoranca po bllokon reformën, jo vetëm me mosheqjen e prefektëve nga procesi zgjedhor, por edhe nuk po konkretizon marrëveshjen në asnjë prej komisioneve parlamentare. "Ky takim është i domosdoshëm për të zhbllokuar në parim dhe pastaj në letër të tre pikat themelore të marrëveshjes, sepse kjo vonesë cënon standartet zgjedhore. Marrëveshja pikë së pari kishte si qëllim që institucionet regullatore që kishin të bënin me zgjedhjet të zhbllokoheshin ose të balancoheshin përpara se të fillojë fushata zgjedhore" - tha zoti Blushi.

Por nuk janë të këtij mendimi përfaqësues të Partisë Demokratike në pushtet. Demokratët shprehen se është opozita ajo që nuk po u përgjigjet kërkesave për zbatimin e marrëveshjes.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të posacëm parlamentar për reformën zgjedhore, Bujar Nishani, thotë se opozita ka bllokuar gjithcka me pretendime të reja paradoksale. Sipas tij, komisionerët socialistë po zbatojnë urdhërat e kryetarit të PS, për të frenuar reformën zgjedhore. "Bllokimi i reformës është një vendim i tyre politik. Është vendim politik drejtpërdrejt i kryetarit të PS, Edi Rama, i cili nuk kasnjë lloj interesi për realizimin e marrëveshjes së arritur. Qëllimi i tij i vetëm është që të shtyjë mandatin e tij në krye të bashkisë së Tiranës dhe për të zhvendosur vëmendjen nga lufta e brendshme që ekziston në Partinë Socialiste" - tha zoti Nishani.

Forcat politike ranë dakord dhe nënshkruan një marrëveshje në fund të gushtit që të shtonin disa anëtarë nëKomisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në këshillat mediatike të vendit, si edhe të përmirësonin listat e votuesve në përpjekje për të përmirësuar në bashkëpunim procesin e ardhshëm zgjedhor.

Pas incidenteve të dhunshme në parlament, partitë e opozitës deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në zgjedhjet vendore, nëse nuk do të plotësoheshin tre kërkesat e tyre për balancimin politik të institucioneve zgjedhore e mediatike. //rd//

XS
SM
MD
LG