Lidhje

Bosnje: shtimi i retorikës nacionaliste shqetëson Bashkimin Evropian

  • Barry Wood
  • Beograd

Bosnje-Herzegovina do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 1 tetor dhe shtimi i retorikës nacionaliste ka krijuar shqetësime te Bashkimi Evropian. Disa analistë thonë se zhvillimi i ngjarjeve lidhur me statusin e Kosovës, mund të ketë ndikim edhe tek e ardhmja e Bosnjes, e cila është një shtet i përbërë nga dy entitete.

Aluzionet e fundit të bëra nga kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjes Millorad Dodik, se serbët e Bosnjes nuk e shikojnë të ardhmen e tyre si pjesë e Bosnje-Herzegovinës kanë ngritur shqetësime në Perëndim, i cili ka bërë thirrje për një qeveri të fortë qendrore.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1995, Bosnje-Herzegovina përbëhet nga dy entitete, një republikë serbe dhe një federatë myslimano-kroate. Në fushatën elektorale të Bosnjes, e cila po karakterizohet nga tone të ashpra, disa politikanë myslimanë kanë lënë të kuptohet se Republika Serbe e Bosnjes nuk mund të ekzistojë pafundësisht, sepse, thonë ata, ajo është krijuar mbi bazën e gjenocidit.

Udhëheqësit e Serbisë nuk janë përfshirë në fushatën elektorale të Bosnjes. Por nacionalisti i moderuar Dodik i ka habitur vëzhguesit duke bërë thirrje që serbët e Bosnjes të lejohen të votojnë në zgjedhjet e Serbisë fiqnje. Nga ana e tyre, kroatët e Bosnjes kanë shtetësi të dyfishtë dhe lejohen të votojnë në Kroaci.

Seshka Stanojlloviç, redaktore për politikën ndërkombëtare revistën e përjavëshme të Beogradit, Vreme, thotë se për serbët, gjendja në Bosnje lidhet drejtpërdrejt me atë që pritet të ndodhë në Kosovë, e cila ka kërkuar pavarësi nga Serbia. Stanojlloviç mendon se nëse Kosova hyn në rrugën e pavarësisë, udhëheqësit e Serbisë mund të kërkojnë zhvillimin e një referendumi mes serbëve të Bosnjes, ide që është hedhur nga kryeministri Dodik.

"Ata mendojnë se ka ardhur koha e duhur për të thënë publikisht se Republika Serbe e Bosnjes ka të njëjtën të drejtë siç kanë tani edhe shqiptarët e Kosovës."

Analistë të tjerë thonë se Serbia ka hyrë tashmë në kursin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në institucionet perëndimore dhe është kundër shkëputjes së serbëve të Bosnjes. Serbia është nën presionin për të dorëzuar Ratko Mlladiçin, serbin e Bosnjes të dyshuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Përpjekjet ndërkombëtare për të forcuar qeverinë e dobët qendrore të Bosnjes ishin pranë suksesit në fillim të këtij viti, kur partitë politike në të dyja entitetet mbështetën një plan të paraqitur nga politikanët kryesorë me ndihmën e diplomatëve amerikanë. Për shumë pak vota ky plan nuk arriti të marrë miratimin e parlamentit ndërsa tani është lënë në hije për shkak të fushatës së ashpër zgjedhore.

Stabiliteti si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje aktualisht sigurohet nga paqeruajtësit ndërkombëtarë. Në Bosnje, NATO-ja ia ka dorëzuar tashmë përgjegjësitë e sigurisë një force të drejtuar nga Bashkimi Evropian. Një forcë akoma më e madhe e udhëhequr nga NATO-ja ndodhet në Kosovë, për statusin e së cilës do të diskutohet këtë javë në Kombet e Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG