Lidhje

SHBA:  Shenja kompromisi për çështjen e Konventave të Gjenevës

  • Paula Wolfson
  • Uashington

Këtu në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë dhe disa anëtarë të rëndësishëm të Kongresit bënë aluzione për kompromis lidhur me çështjen komplekse se si duhen gjykuar dhe trajtuar personat e dyshuar si terroristë. Kjo ishte çështja që dominoi dje debatet e të gjitha rrjeteve televizive amerikane.

Retorika për këtë çështje është nxehur shumë ditët e fundit. Por dje u shfaqën shenjat e para se palët mund të arrijnë një kompromis. Këshilltari i Sigurimit Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Hadley, i cili dje foli në disa programe lajmesh, e mori në mbrojtje qendrimin e palëkundur të administratës lidhur me marrjen në pyetje dhe me gjykimet e personave të dyshuar për terrorizëm.

Por ai la gjithashtu të kuptohet se administrata e Presidentit Bush dëshiron të punojë me ata anëtarë të Kongresit të cilët mbajnë një qendrim të ndryshëm. Në emisionin e rrjetit ABC “This Week”, ai foli mbi nevojën për ta mbajtur të hapur programin e CIA-s që parashikon marrjen në pyetje të personave të dyshuar si terroristë. Nga ana tjetër, Hadley tha se duhen mbajtur parasysh edhe shqetësimet e Kongresit rreth normave ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve. Ai tha se arritja e një kompromisi do të jetë e vështirë por është diçka e realizueshme.

"Është e nevojshme që të gjejmë një mënyrë për t’i kapërcyer pengesat dhe unë mendoj se ne mund ta gjejmë atë,” tha zoti Hadley.

Polemikat e Shtëpisë së Bardhë me Kongresin arritën kulmin të enjten, kur një grup i vogël por me shumë ndikim i shumicës republikane u shprehën kundër qendrimit të administratës dhe propozuan versionin e tyre të legjislacionit për trajtimin e personave të dyshuar si terroristë.

Propozimi i tyre erdhi nga komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura me mbështetjen e demokratëve të opozitës. Këta senatorë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të zbatojnë standardet e Konventave të Gjenevës, të cilat parashikojnë ndalimin e formave të caktuara të marrjes në pyetje dhe që personat e dyshuar të kenë të drejtën për të parë provat e përdorura kundër tyre në gjyq – edhe nëse këto prova mund të konsiderohen sekrete.

Senatori John McCain – ish i burgosur lufte në Vietnam – thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të japin shembullin e etikës së lartë për të tjerët. Ja si u shpreh ai në një intervistë për rrjetin televiziv ABC.

"Duhet të kemi parasysh se nëse ne bëjmë gjëra që më pas dënohen nga të gjithë dhe shkelim standardet në bazë të të cilave kemi vepruar gjatë 50 vjetëve të fundit, bota do të na dënojë dhe ne do të humbasim epërsinë morale."

Senatori McCain tha se ekziston shqetësimi se nëse Shtetet e Bashkuara përdorin teknika të ashpra të marrjes në pyetje dhe u mohojnë të burgosurve disa të drejta të caktuara në gjyq, atëhere vendet e tjera do ta kuptojnë këtë si leje për të bërë çfarë të duan me amerikanët që kapin rob.

Senatori Lindsey Graham – një tjetër republikan që e kundërshton Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje – e zhvilloi më tej këtë argument gjatë një interviste në programin e rrjetit televiziv CBS, “Face the Nation”.

Graham pyeti se çfarë do të ndodhte nëse një agjent amerikan kapet në Iran, nxirret në gjyq dhe nuk lejohet të shikojë provat kundër tij.

"Ne do të zemëroheshim pa masë dhe do të thoshim se gjyqet e fshehtë bien ndesh me standardet e Konventave të Gjenevës për gjykimin e të burgosurve.”

Shtëpia e Bardhë thotë se njohja e personave të dyshuar si terroristë me dëshmitë sekrete kundër tyre mund të rrezikojë jetë amerikanësh. Por në emisionin e rrjetit CNN “Late Edition”, Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Hadley tha se propozimi i presidentit parashikon marrjen e masave që gjyqet të jenë të paanshëm.

"Në mënyrë që dëshmitë sekrete të përdoren në gjyq pa ia treguar ato të pandehurit, kreu i gjykatës ushtarake duhet të ketë arritur së pari në përfundimin se dëshmi të tilla nuk do ta privojnë të pandehurin nga një gjyq i drejtë. Informacioni do t’i jepet avokatit të tij, pra avokati do të mund t’i shikojë dëshmitë sekrete. Gjithashtu, sa herë që të jetë e mundur, i akuzuari do të mund të njihet me një përmbledhje të këtij informacioni, së cilës i është hequr pjesa sekrete."

Gjykata e Lartë amerikane ka deklaruar se personat e ndaluar për terrorizëm mbulohen nga standardet e Konventave të Gjenevës për trajtimin human të të burgosurve.

Shtëpia e Bardhë ngul këmbë se kodi i Gjenevës është hartuar shumë më përpara luftës kundër terrorizmit dhe është e nevojshme që atij t’u bëhen sqarime për t’u zbatuar në përputhje me ligjin amerikan.

Kritikët e Shtëpisë së Bardhë thonë se disa sqarime mund të jenë të justifikuara por ata janë të shqetësuar se administrata dëshiron t’i interpretojë Konventat e Gjenevës në përputhje me nevojat e saj aktuale. //ii

XS
SM
MD
LG