Lidhje

Kosovë: Shpërthim në komunën e Ferizajt; nuk ka dëme në njerëz


Shpërthim në komunën Ferizaj, rreth 40 km larg Prishtinës

Një shpërthim në një fshat në jug të Prishtinës shkaktoi dëme në disa makina por nuk ka pasur pasoja në njerëz. Sipas autoriteteve në Kosovë, shpërthimi ndodhi në oborrin e një restoranti në fshatin Balaj të komunës së Ferizajt, rreth 40 kilometra në jug të Prishtinës.

Autoritetet ende nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë autorët apo objektivin e shpërthimit. Ky është shpërthimi i tretë gjatë kësaj jave në Kosovë.

Të premten, një shpërthim shkatërroi makinën e ministrit të rendit, Fatmir Rexhepi, ndërsa një tjetër shpërthim të shtunën shkatërroi makinën e një punonjëse të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Autoritetet i kanë dënuar shpërthimet, duke i cilsuar si veprime që synojnë të dëmtojnë qëndrueshmërinë në Kosovë në një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj.

Një shqiptar nga Kosova dënohet në Beograd me 13 vjet burg për krime lufte

Një shqiptar nga Kosova është dënuar sot në Beograd me 13 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte. Anton Lekaj, ish pjesëtar i ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, është dënuar nën akuzat për krime kundër pjesëtarëve të komunitetit rom në muajin qershor të vitit 1999, pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Sipas akuzës, Anton Lekaj ka rrëmbyer një grup romësh më 12 qershor të vitit 1999, të cilët u janë nënshtruar torturave dhe abuzimeve seksuale. Katër nga të rrëmbyerit sipas akuzës, më vonë janë ekzekutuar nga zoti Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjykata e Posacme për krime lufte në Beograd, e cila për herë të parë ka drejtuar një rast për krime lufte kundër shqiptarëve, ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit që të transferohet në Kosovë për t’u gjykuar nga institucionet e atjeshme të drejtësisë që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara.

Anton Lekaj është arrestuar në gusht të vitit 2004 në Mal të Zi dhe u është dorëzuar autoriteteve serbe. Ai ka mohuar të gjitha akuzat duke nëvizuar se gjatë periudhës për të cilën është akuzuar ishte në Shqipëri me familjen e tij. //ad//

XS
SM
MD
LG