Lidhje

Në debatin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB do të jenë të pranishëm Presidenti Bush dhe një listë e gjatë udhëheqësish botërorë

  • Pitër Hajnlajn

Debati do të fillojë të martën dhe, për shtatë ditë me radhë, më shumë se 80 krerë shtetesh dhe qeverish do të mbajnë fjalime para asamblesë së përgjithshme. Presidenti Bush do të flasë gjatë seancës së hapjes, së bashku me udhëheqësit e Francës, Finlandës, Polonisë, Afrikës së Jugut, Pakistanit dhe Brazilit.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinezhad, është caktuar të flasë po atë ditë, por ai nuk do të takohet me Presidentin Bush.

Debati i asamblesë është kthyer në një mundësi për takime dypalëshe apo grupesh ndërmjet udhëheqësve botërorë, si dhe për forume e konferenca. Programi i Presidentit Bush përfshin një takim vetëm për vetëm me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan, si dhe takime private me disa krerë vendesh të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm Anan u tha gazetarëve se ai pret që debati i Asamblesë së Përgjithshme të përfshijë të gjitha çështjet më të rëndësishme globale. “Mendoj se do të diskutohet Libani dhe Lindja e Mesme, Darfuri, Republika Demokratike e Kongos dhe besoj se edhe Kosova do të jetë ndër përparësitë e programit. Aty do të përfshihen edhe çështjet e tjera si sida etj.”

Muajt e ardhshëm do ta sjellin zotin Anan më afër përfundimit të mandatit të tij si sekretar i përgjithshëm. Në dhjetor ai mbush 10 vjet në këtë post dhe ndërkohë gara për zëvendësimin e tij po shkon drejt fazave përfundimtare.

Disa kandidatë të shpallur për postin kanë vazhduar të bëjnë fushatë aktive dhe të gjithë do të jenë në Nju Jork për të mbrojtur kandidaturën e tyre.

Ministri i jashtëm koreano-jugor Ban Ki Moon ka dalë ndër të parët pas dy anketave paraprake mes 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Por kjo nuk garanton suskesin.

Në anketën më të fundit ai mori 14 vota inkurajimi dhe 1 votë skkurajimi. Por sipas rregullave, nuk mund të dihet nëse kjo votë kundër është e një prej vendeve me të drejtën e vetos.

Ambasadori kinez në OKB, Uang Guang-gjia u kujtoi gazetarëve se këto anketa mund të jenë mos jenë të sakta. “Dje, një kandidat ka marrë më shumë vota se të tjerët. Por një votë ka qenë kundër dhe është e rëndësishme se kujt i përket kjo votë.”

Katër kandidatët e tjerë morën më shumë vota shkurajuese, por kjo nuk bëri që ata tërhiqen nga gara.

Deri tani, të gjithë kandidatët e shpallur kanë qenë aziatikë, meqenëse tradita e OKB-së e do që radhën ta ketë Azia për të drejtuar. Por, pak ditë më parë, tre shtete baltike emëruan presidenten e Letonisë Vaira Vike-Freiberga. Ajo do të jetë kandidatja e parë jo-aziatike dhe femër në një kohë kur vendimmarrësit kryesorë po shprehin hapur dëshirën e tyre për të zgjedhur një femër në këtë post.

Profesor Eduard Llak thotë se do të ketë edhe emërime të tjera gjatë procesit të zgjedhjes. Por, meqenëse me traditë radhën e ka Azia, zgjedhja përfundimtare do të ishte një kandidat që do të pranohej si nga Kina, edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Diplomatët amerikanë janë treguar të kujdesshëm të mos zbulojnë kandidatin që mund të përkrahin, megjithëse ndihmës-sekretarja e shtetit për organizatat ndërkombëtare, Kristen Silverberg, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara duan dikë me përvojë të fortë administrative dhe aftësi diplomatike.

Ambasadorët e pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit thonë se kanë rënë dakort ta shpejtojnë procesin, dhe shpresojnë që kalimi i postit nga zoti Anan tek pasuesi i tij të bëhet pa probleme.

Diplomatët kinezë dhe amerikanë thonë se shpresojnë që vendimi të merret deri më 28 shtator, ditën pas përfundimit të debatit të Asamblesë së Përgjithshme. //az//

XS
SM
MD
LG