Lidhje

Protestat ndaj komenteve të Papës shtrihen në Turqi


Papa tha të dielën se i vjen shumë keq për zemërimin e shkaktuar nga një citim në një fjalim akademik. Por shumë myslimanë thonë se shprehja e keqardhjes së Papës nuk ishte e mjaftueshme. Papa Benedikti po vazhdon të përballet me kërkesa nga bota myslimane për të kërkuar ndjesë lidhur me komentet e tij të diskutueshme mbi islamizmin. Punëtorët turq nga një sindikatë fetare demonstruan sot në Ankara, duke kërkuar që Papa të kërkojë falje ose të anulojë vizitën që ai ka në plan të bëjë në Turqi. Disa nga protestuesit bënë thirrje për arrestimin e Papës kur ai të arrijë në shtetin me shumicë myslimane nga fundi i nëntorit. Por qeveria turke thotë se pret që vizita e Papës të bëhet sipas planit. Ndërkohë, Vatikani thotë se do të dërgojë përfaqësues për t’u takuar me udhëheqës nga bota myslimane për të shpjeguar fjalimin e javës së kaluar që Papa mbajti në Gjermani.

Demonstruesit dogjën dje një portret të Papës në qytetin e Basrës në Jug të Irakut. Një grup ekstremist i lidhur me al-Kaidën, Këshilli i Muxhahedinëve Shura e paralajmëroi papën në një deklaratë në internet se ai dhe perëndimi janë të dënuar. Ndërsa në Kashmirin pakistanez bizneset dhe shkollat u mbyllën për të protestuar ndaj komenteve të Papës.

Kriza filloi javën e kaluar me një fjalim të Papa Benediktit para një grupi akademikësh në Gjermani. Ai citoi një perandor Bizantin të shekullit të 14-të që i cilësonte disa nga mësimet e profetit Muhamed si “djallëzore dhe çnjerëzore”. Këto komente shkaktuan protesta mes myslimanëve dhe të dielën papa bëri një ndjesë të pazakontë personale.

“Ndjej një keqardhje të thellë për reagimet e shkaktuara nga një pjesë e fjalimit tim në Universitetin Regensburg që u konsiderua ofendues ndaj ndjeshmërisë së besimtarëve myslimanë,” tha Papa. Ai shtoi se komentet ishin pjesë e një teksti që nuk pasqyronte mendimet e tij.

Por udhëheqësi i Lartë i Iranit Ajatollah Khamenei tha dje se komentet e Papës ishin në linjë me atë që ai e quajti kryqëzatë të Perëndimit kundër Islamizmit. “Ajo që më shqetëson mua është se si rezultat i komenteve të tilla, myslimanët dhe të krishterët do të bëhen më pesimistë ndaj njëri-tjetrit,” tha Ajatollahu Khamenei.

Udhëheqës të tjerë myslimanë e pranuan deklaratën e Papës dhe u kërkuan myslimanëve të shmangin dhunën. Ibrahim Hooper është zëdhënës për Këshillin mbi Marrëdhënie Amerikano-Islamike në Uashington. “Ai tha se pikëpamjet në fjalim nuk përfaqësojnë mendimet e tij. Kështu mendoj se ky është një fillim i mbarë dhe ne duhet të përpiqemi ta lëmë pas këtë ngjarje sepse përndryshe mund të dëmtojë marrëdhëniet mes katolikëve dhe myslimanëve dhe ne nuk duam që një gjë e tillë të ndodhë,” tha zoti Hooper.

Komisioni Evropian bëri thirrje që komentet e Papa Benediktit të mos nxirren nga konteksti dhe tha se liria e fjalës duhet respektuar. //ad//

XS
SM
MD
LG