Lidhje

Presidenti i Iranit Ahmadinexhad mbrojti me vendosmëri veprimtarinë e vendit të tij për pasurimin e uraniumit

  • David Gollust

Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, gjatë fjalimit që mbajti mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbrojti me vendosmëri atë që ai tha se është e drejta e vendit të tij për të pasuruar uraniumin si pjesë e një programi bërthamor për qëllime paqësore. Ndërkohë, ministrat e jashtëm të fuqive të mëdha diskutuan rreth sanksioneve të mundshme kundër Teheranit.

Fjalimi i mbrëmshëm i udhëheqësit iranian u ndoq nga afër për të parë shenja në se Teherani mund të ishte i gatshëm të pezullonte pasurimin e uraniumit për të shmangur vendosjen e sanksioneve.

Por në mesazhin e zotit Ahmadinexhad nuk pati ndonjë shenjë fleksibiliteti, në të cilin u gërshetua tema fetare me mospërfilljen e përpjekjeve diplomatike për ta bindur Iranin të pezullojë atë që zyrtarët amerikanë dhe disa zyrtarë evropianë besojnë se është një fushatë armësh bërthamore.

Presidenti iranian, duke dalë për herë të dytë para Kombeve të Bashkkuara që kur erdhi në pushtet vitin e kaluar, e akuzoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili e ka marrë në shqyrtim çështjen e armëve bërthamore të Iranit, si të njëanshëm dhe të mbizotëruar nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Ahmadinexhad tha, nëpërmjet përkthyesit, se vendet me teknologji bërthamore, përfshirë armë bërthamore, po përpiqen të parandalojnë Iranin të zotërojë teknologji të tillë, megjithëse ai këmbënguli se Irani ka qëllime paqësore.

“Republika Islamike e Iranit është anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe e angazhuar ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Të gjitha veprimtaritë tona bërthamore janë transparente, paqësore dhe nën mbikqyrjen e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Pse atëhere ekzistojnë kundërshtime ndaj të drejtave tona të njohura ligjërisht? Cilat qeveri i kundërshtojnë këto të drejta? Qeveritë që vetë përfitojnë nga energjia bërthamore.”

Irani nuk përfilli një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për të pezulluar veprimtaritë e pasurimit të uraniumit deri më 31 gusht dhe të kthehej në negociatat për programin e tij të armëve bërthamore. Rezoluta ishte miratuar nga fundi i korrikut për të mbështetur një ofertë të fuqive perëndimore me nisma për Iranin që të bashkëpunojë, përndryshe kërcënohej me marrjen e masave ndëshkuese.

Në fjalimin e tij disa orë më parë, presidenti Bush kritikoi ashpër qeverinë iraniane për nxitjen e terrorizmit dhe të ekstremizmit si dhe për përpjekjet për të zotëruar armë bërthamore. Megjithatë, ai theksoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta zgjidhur çështjen bërthamore nëpërmjet diplomacisë.

“Kombet e Bashkara kanë miratuar një rezolutë të qartë, e cila kërkon që regjimi në Teheran të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare. Irani duhet të heqë dorë nga ambicjet e tij për të zotëruar armë bërthamore. Megjithë pohimet e atij regjimi, ne nuk jemi kundër përpjekjeve të Iranit për krijimin e një programi të energjisë bërthamore me të vërtetë për qëllime paqësore. Ne po punojmë drejt një zgjidhjeje dipolomatike të krizës.”

Sekretarja e Shtetit, Kondoliza Rajs, pati mbrëmë një darkë pune me ministrat e jashtëm të katër vendeve tjera të përhershme të Këshillit të Sigurimit, si dhe Gjermanisë e Italisë mbi çështjen bërthamore.

Sekretarja Rajs u ishte përgjigjur gjatë ditës rrjeteve televizive se mosvënia e sanksioneve kundër Iranit do të sillte probleme që kanë të bëjnë me besueshmërinë për komunitetin ndërkombëtar.

Në një dëshmi para kongresit, nënsekretari i shtetit për çështje politike, Nikolas Bërns, tha se mospërfilljes së Iranit ndaj detyrimeve ndërkombëtare i duhet përgjigjur me sanksione intensifikuese në shumë fusha duke filluar që nga ato kundër udhëheqjes iraniane e deri tek përpjekjet bërthamore.

“Këto sanksione në fazën e parë, dhe të kemi parasysh se mund të ketë disa faza intesifikuese kundër Iranit, duhet të përqendrohen në udhëheqjen iraniane dhe në programin bërthamor, duhet të hartohen për të pakësuar eksportet me përdorim të dyfishtë, të cilat ne mendojmë se i mundësojnë Iranit kërkimet në fushën bërthamore, duke përdorur teknologji që tani lejohen në bazë të direktivave të tregëtisë ndërkombëtare”.

Asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk ndodhej në sallën e Asamblesë së Përgjithshme kur Presidenti iranian Ahmedinexhad mbajti fjalimin e tij dhe nuk kishte ndonjë plan për takime të zyrtarëve amerikane me udhëheqësin iranian. Megjithatë, Sekretarja Rajs tha se ishte gati të takonte homologun e saj iranian kurdo që Irani të përmbushte kushtin për ndalimin e pasurimit të uraniumit.

//ze//

XS
SM
MD
LG