Lidhje

Pas grushtit të shtetit, kryeministri tajlandez shkon në Britani


Kryeministri tajlandez, i detyruar të largohet nga pushteti, Thanksin Shinawatra, mbërriti në Britani, pas një grushti shteti në vendin e tij.

Zoti Thaksin u shkarkua dje nga ushtria, ndërkohë që ndodhej në Nju Jork, për të marrë pjesë në takimin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai udhëtoi për në Londër me një avion të posaçëm të linjës Thai Airways, ku ndodhet për studime e bija e tij.

Ministria e Jashtme britanike tha se udhëheqësi tajlandez do të qëndojë në Londër për një vizitë private dhe se nuk do të zhvillojë takime me zyrtarë. Para se të nisej sot nga Nju Jorku, zoti Thaksin tha se nuk e priste kurrë që ushtria të organizonte një grusht shteti ndaj tij, por la të kuptohet se nuk do të përpiqet ta marrë prapë në pushtetin.

Në Bangok, autori i grushtit të shtetit, Shefi Ushtarak, gjenerali Sondhi Boontaratglin, tha se përmbysja e zotit Thaksin ishte e nevojshme për të zgjidhur konfliktet dhe për t’i kthyer përsëri vendit jetën normale.

Gjenerali nuk iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve nëse pasuria e zotit Thaksin do të konfiskohet, apo në se ndaj tij do të hapet proces gjyqësor nën akuzat për korrupsion. Gjenerali Sondhi tha se mbreti Bumipol Aduladej i ka dhënë atij miratimin për të drejtuar qeverinë deri sa të formohet një qeveri e përkohëshme, që pritet brenda dy javësh. Gjenerali u zotua se zgjedhjet e reja do të mbahen në tetor të 2007.//lk

XS
SM
MD
LG