Lidhje

Grupi i Kontaktit paralajmëron si Prishtinën edhe Beogradin se nuk do të lejohen të pengojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës 


Grupi i Kontaktit për Kosovën paralajmëroi dje si qeverinë serbe edhe shqiptarët e Kosovës se asnjerë palë nuk do të lejohet të pengojë zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Grupi i Kontaktit pohoi se ende synon për arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën deri në fund të vitit dhe se procesi është në një fazë vendimtare.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje nëpërmjet negociatave lidhur me statusin final janë dëmtuar nga dhuna në Kosovë si dhe nga deklaratat mospërfillëse të Beogradit, i cili kundërshton çdo marrëveshje që nuk e lë Kosovën pjesë të Serbisë.

Por Grupi i Kontaktit, i përbërë nga 6 vende, i cili ka punuar për këtë çështje për më shumë se 10 vjet, po thekson vendosmërinë e tij për të avancuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe këtë ta bëjë, po të jetë nevoja, edhe pa miratimin e Serbisë apo të shqiptarëve të Kosovës.

Gjuhë e ashpër u përdor në një deklaratë, e cila u publikua në mbyllje të një takimi ministror me dyer të mbyllura të Grupit të Kontaktit, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania. Ky takim u zhvillua në ambjentet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe u kryesua nga sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs.

Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane, Daniel Frid, i cili komentoi për gazetarët lidhur me takimin me dyer të mbyllura, tha se ministrat shprehën me forcë mbështetjen e tyre për të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Martti Ahtisari si dhe përpjekjet për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga populli i Kosovës dhe që ruan karakterin shumë etnik të saj.

Zoti Frid, duke cituar gjuhën e shprehur në deklaratë, tha se as autoritetet në Beograd e as administrata e përkohshme në Prishtinë nuk mund të bllokojë në mënyrë të njëanshme përparimin e procesit të statusit final. Ai tha se Grupi i Kontaktit fajësoi punën e secilës palë në procesin e statusit.

“Ministrat i bënë thirrje udhëheqjes së Kosovës që të intensifikojë përpjekjet për zbatimin e standarteve të mbështetura nga Kombet e Bashkuara. Madje ata i kërkuan Beogradit që t’i japë fund pengimit të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Pra ata bënë deklarata të qarta në adresë të Beogradit dhe Prishtinës dhe këto deklarata nuk ishin identike.”

Në deklaratën e ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit përshëndetej i dërguari i posaçëm i OKB-së Ahtisari, ish president i Finlandës, për zhvillimin e negociatave intensive për 8 muaj me radhë në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje këtë vit.

Beogradit dhe Prishtinës iu bë thirrje të bëjnë përpjekje konstruktive për të sheshuar mosmarrëveshjet e mbetura në qëndrimet e tyre dhe në deklaratë thuhej se Grupi i Kontaktit do të mbikqyrë shkallën e bashkëpunimit të tyre, që do të pasohet me konkluzione përkatëse.

Një diplomat i lartë amerikan, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, nuk pranoi të thoshte sesi do të imponohej një zgjidhje përkundrejt kundërshtimeve të palëve kryesore.

Ai tha se një zgjidhje nëpërmjet negociatave vazhdon të jetë shpresë e kujtdo, por shtoi se status-kuoja është e paqëndrueshme dhe nuk mund të lejohet për një kohë të papërcaktuar.

Kur u pyet lidhur me rolin e Moskës, diplomati në fjalë tha se Rusia, aleate politike për një kohë të gjatë e Beogradit, mbështeti çdo fjalë të deklaratës së Grupit të Kontaktit. Ai tha gjithashtu se në mbyllje të takimit sekretarja e shtetit Rajs kërkoi dhe siguroi mbështetje për misionin e zotit Ahtisari.

Ndërsa shqiptarët e Ksoovës kërkojnë pavarësinë nga Serbia, Beogradi ka thënë se është gati t’i japë Kosovës autonomi më të gjerë, megjithatë thotë se kjo zonë është në zemër të historisë së Serbisë prandaj duhet të mbetet pjesë e saj.

XS
SM
MD
LG