Lidhje

Presidenti Moisiu: një Kosovë e pavarur shumë etnike do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në Ballkan

  • Ilir Ikonomi

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu tha mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se vendi i tij nuk mendon se pavarësia e Kosovës do të hapte derën për të zgjidhur në mënyrë të ngjashme probleme që ekzistojnë në rajone të ndryshme të botës. Në fjalimin e tij Presidenti i Shqipërisë tha se një Kosovë sovrane dhe e pavarur do t’i shërbente edhe paqes dhe qendrueshmërisë në rajon.

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu tha mbrëmë në takimin vjetor të Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se zgjidhja e çdo problemi duhet të marrë në konsideratë kontekstin historik dhe gjeografik dhe jo të jetë një zbatim mekanik i analogjive të papërligjura. Ai iu referua me këto fjalë komenteve të Rusisë, e cila ka shprehur shqetësime se një pavarësi për Kosovën mund të nxisë kërkesa të ngjashme të disa rajoneve të saj.

"Nuk na është dukur i saktë dhe i drejtë mendimi i shprehur në ndonjë rast se pavarësia e Kosovës do të hapte derën për të zbatuar në mënyrë analoge të zgjidhjeve të njëjta për probleme që ekzistojnë në vende dhe rajone të ndryshme sot."

Presidenti Moisiu tha se Kosova, shtet sovran dhe i pavarur, demokratik dhe multietnik, me perspektivë të qartë euroatlantike, i shërben edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zoti Moisiu tha se duke marrë në konsideratë aspektin historik, juridik dhe moral të problemit të Kosovës, zgjidhja e tij sipas vullnetit të vetë qytetarëve të Kosovës, është krejt e përligjur.

Presidenti i Shqipërisë e quajti pozitive ecurinë e bisedimeve në Vjenë mes Prishtines dhe Beogradit dhe nuk bëri kritika të hapura ndaj palës serbe por thjesht i kërkoi asaj të dëshmojë më shumë realizëm dhe respekt për aspiratat e popullit të Kosovës, siç u shpreh ai.

Ai kundërshtoi çdo ndarje të mundëshme të Kosovës.

"Shqipëria është kundër çdo skenari të ndarjes apo copëtimit të Kosovës, gjë që sipas traditës së shkuar, mund të sjellë konflikte dhe paqëndrueshmëri në të ardhmen."

Presidenti Moisiu ka patur një program të ngjeshur këtu në Nju Jork me takime të shumta me pothuajse të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit.

Të martën, ai mori pjesë së bashku me udhëheqës të 15 vendve të tjera në një “forum për demokracinë” të drejtuar nga Presidenti Bush, ku u fol për rolin e shoqërisë civile në vendet që dikur sundoheshin nga regjime totalitare. Presidenti Moisiu foli në takim për nevojën që organizatat joqeveritare të ruajnë pavarësinë dhe të mos ndikohen nga politika.

Menjëherë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Moisiu shkoi në Uashington ku pati një takim me kryetarin e gjykatës së lartë amerikane John Roberts. Sipas burimeve të Presidencës, në takim u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri, me ndihmën që Shtetet e Bashkuara po ofrojnë për të përmirësuar sistemin gjyqësor dhe një temë e takimit ishte sidomos çështja e ndarjes së pushteteve në Shqipëri.

Zëdhënësit nuk deshën të prononcohen nëse në takim u diskutua konkretisht çështja polemizuese e Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, për të cilin Presidenti Moisiu ka thënë se do të presë dhe do të konsultohet para se të japë verdiktin e tij. Por ata vunë në dukje se nga ana e Gjykatës së Lartë amerikane është shprehur një interesim i dukshëm për të ndihmuar në zbutjen e disa problemeve të gjyqësorit shqiptar.

Presidenti Moisiu po merr pjesë këto ditë edhe në takimin vjetor të Nismës Globale Klinton, një forum që grumbullon udhëheqësit botërorë dhe përpiqet t’i nxisë ata për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje novatore të problemeve globale. Nisma është themeluar nga ish Presidenti Bill Clinton në vitin 2005.

Zoti Moisiu pritet të flasë sot në një prej paneleve ku do të diskutohet për zbutjen e konflikteve fetare dhe etnike.

//ze//

XS
SM
MD
LG