Lidhje

Shqipëri: Kryeministri Berisha hedh poshtë akuzat lidhur me kompaninë “Albatros“


Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë të enjten si të pavërteta akuzat e opozitës, sipas të cilës, ai po i bën presion dhe kërcënime Presidentit Alfred Moisiu për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm. Zoti Berisha i bëri këto komente gjatë një interpelance në Parlament të kërkuar nga opozita për të mbiquajturën "çështja Albatros".

"Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk i kam lejuar dhe nuk i lejoj vetes që të bëj presion në asnjë formë Presidentit të Republikës. Unë jam një ish-President. Unë mund të kem mendime të ndryshme me të, por ligji dhe kodi kërkon që unë të respektoj prerogativat e tij kushtetuese. Ndaj dhe çdo insinuatë për presion timin ndaj tij është trillim, trillim dhe vetëm trillim" - tha zoti Berisha.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Petro Koci, tha se, në bashkëpunim me drejtues të ministrisë së transporteve, kryeministri Berisha u ka kërkuar familjarëve të Presidentit Moisiu që të shkarkojë nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku në këmbim të zhbllokimit të veprimtarisë së kompanisë Albatros, pronë e tyre.

"Në strategjinë politike të Sali Berishës, kapja e presidentit mbetej instrumenti me rëndësi thelbësore për kapjen totale të shtetit. Për treshen Berisha - Basha - Dibra, si shumë kompani të tjera ajrore edhe Albatros paskësh borxhe që vlenin për të kërcënuar pezullimin e fluturimeve, në rast se Presidenti i Republikës do të hezitonte për të dekretuar urdhrin e Berishës për shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku" - tha zoti Koci.

Nga ana tjetër, zoti Berisha tha se Prokurori i Përgjithshëm mbron njerëz të botë së krimit dhe mbrohet nga opozita, sepse ai mbulon aferat korruptive të ish-qeveritarëve të majtë.

"Ju garantoj që nëse Sollaku bllokon me qindra dosje tuajat dhe të bashkëpunëtorëve tuaj, së bashku me ato dosje ai do të marrë fundit që historia u përket bajlozëve të krimit, të korrupsionit dhe të kleptokracisë. Nuk bëj presione për të" - ju drejtua zoti Berisha deputetëve opozitarë.

Lidhur me ankesat shkresore të Albatrosit, zoti Berisha tha se Departamenti i Kontrollit në kryeministri po bën verifikime të hollësishme që ka ardhur vetëm në 11 shtator. Por, ai tha se kryeministria nuk ka marrë ende ndonjë kasetë me biseda të regjistruara, sepse përfqësuesit e Albatrosit e dërguan atë në prokurori, ndaj tani duhet pritur vendimi i gjykatës.

"Jam plotësisht dakord me hetimin që po bëhet dhe pres vendimin e gjykatës, dhe si një vend demokratik që jemi, mbi bazën e këtij vendimi unë do të mbaj të gjitha qëndrimet" - tha zoti Berisha.

Debatet rreth kompanisë Albatros u bënë temë kryesore në qarqet politike pas publikimit të një bisede të përgjuar ku, sipas komenteve të ndryshme, mund të provohet kërkesa që i bëhet Presidentit Moisiu për shkarkimin e Kryeprokurorit përmes familjarëve të tij, pronarë të firmës ajrore të bllokuar.

XS
SM
MD
LG