Lidhje

Tadiç: Autonomia e Kosovës - zgjidhje e qendrueshme që do të hapte kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare

  • Ilir Ikonomi

Presidenti serb, Boris Tadiç, i cili njihet si më properëndimor mes udhëheqësve të Beogradit, përsëriti dje se ruajtja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Serbisë do të ishte në interes të demokracisë dhe begatisë të krejt Evropës Juglindore.

Ai e pranoi se zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës është një ndër problemet më të vështirë me të cilët përballet Serbia, komuniteti ndërkombëtar si dhe shqiptarët e serbët në Kosovë.

Rasti i Kosovës, tha Presidenti Tadiç, nuk është një rast unikal, i ndryshëm nga gjithë të tjerët. Sipas presidentit serb, ky problem duhet të zgjidhet mbi bazën e parimeve të njohur të së drejtës ndërkombëtare, përndryshe nuk do të mund të shmanget dot rrethi vicioz i armiqësive të vjetra.

Zoti Tadiç tha në fjalimin e tij se autonomia që Serbia i ofron Kosovës është më e gjerë se sa ajo që gëzon aktualisht ndonjë rajon apo njësi tjetër federale në Evropë. “Sipas pikëpamjes së sonë, kjo do të ishte një zgjidhje e qendrueshme që do të hapte një kapitull të ri në historinë e gjatë të marrëdhënieve serbo-shqiptare”.

Ai premtoi se një autonomi e tillë do t’i jepte Kosovës qasje të drejtpërdrejtë në institucionet financiare ndërkombëtare, të nevojshme për rimëkëmbjen e saj ekonomike.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje nëpërmjet negociatave lidhur me statusin përfundimtar janë dëmtuar nga dhuna në Kosovë si dhe nga deklaratat e Beogradit, i cili kundërshton çdo kompromis që do ta linte Kosovën jashtë Serbisë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje si Beogradit edhe Prishtinës që të sheshojnë mosmarrëveshjet me përpjekje konstruktive. Në një takim të zhvilluar të mërkurën në Nju Jork, vendet e Grupit të Kontaktit i kërkuan Beogradit që t’i japë fund pengimit të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në institucione.

Zyrtarët amerikanë thonë se një zgjidhje me bisedime vazhdon të jetë shpresë e të gjithëve, por shtojnë se status-kuoja është e paqëndrueshme dhe nuk mund të lejohet për një kohë të papërcaktuar.

Në fjalimin e tij të mbajtur po dje, Presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski tha se vendi i tij e mbështet plotësisht punën e të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari në bisedimet për statusin e Kosovës. Por ai tha se mes Maqedonisë dhe Kosovës mbetet çështja e demarkacionit të kufirit. Ai tha se kjo çështje duhet mbyllur përpara arritjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2001, Maqedonia dhe ish Federata Jugosllave e atëhershme nënshkruan një marrëveshje për demarkacionin e kufirit mes tyre. Shqiptarët e Kosovës e kanë kundërshtuar marrëveshjen duke thënë se ajo lë jashtë kufirit të Kosovës territore ku banojne shqiptarë. //az//

XS
SM
MD
LG