Lidhje

Presidenti Bush vlerëson ndihmën e gjeneralit Musharaf në luften kundër terrorizmit


Presidenti Bush e vlerësoi homologun e tij pakistanez Pervez Musharaf, si një ndër udhëheqësit e parë që mbështeti dhe u bashkua me luftën e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit.

Presidenti Bush e bëri këtë koment sot në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit që zhvilluan dy udhëheqësit mbi një sërë çështjes rajonale dhe ndërkombëtare. Presidenti Bush tha se ai kishte mbetur i habitur nga njoftimet se Shtetet e Bashkuara kishin kërcënuar të bombardonin Pakistanin, në se ky vend nuk bashkëpunonte pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Në një intervistë të mëparshme me rrjetin CBS, gjenerali Musharaf kishte thënë se kërcënimin e kishte bërë ish zëvendës Sekretari i Shtetit Riçard Armitixh. Sipas tij, zoti Armitixh kishte kërcënuar se “Pakistani do të bombardohej deri sa të kthehej në epokën e gurit”, në se nuk do të bashkëpunonte në luftën kundër terrorizmit.

Zoti Armitixh tha sot se ai nuk kishte kërcënuar për të bombarduar Pakistanin, por kishte dërguar një mesazh të fortë, duke thënë se Pakistani duhet të ishte “ose me ne, ose kundër nesh”, siç u shpreh ai. Në konferencën e sotme të shtypit me Presidentin Bush, Presidenti Musharaf nuk pranoi të komentonte lidhur me intervistën që i kishte dhënë rrjetit CBS. Presidenti Bush e përgëzoi disa herë udhëheqësin pakistanez për arrestimin e qindra udhëheqësve të Al-Kaidës.

Dy udhëheqësit u thanë gazetarëve se bisedimet ishin të sinqerta dhe se ato shërbyen për ripohimin e besimit të ndërsjellë mes tyre. Presidenti Musharaf tha se si Uashingtoni edhe Islamabadi janë në ndjekje të Osama Bin Ladenit, duke shtuar se strategjia dhe taktikat e ndjekjes nuk do të bëhen publike.

XS
SM
MD
LG