Lidhje

Presidenti Moisiu: Shqiptarët po luajnë një rol në rritje për stabilitetin në Ballkan


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu po u jep fund veprimtarive në Nju Jork dhe do të shkojë në shtetin Miçigan për takime me komunitetin shqiptaro-amerikan. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Moisiu tha se shqiptarët në Ballkan po luajnë një rol në rritje për stabilitetin në rajon. Presidenti Moisiu flet edhe për një serë çështjes të politikës së brendshme në Shqipëri, si për nismën Shqipëria 1 Euro, çështjen Albatross, çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zgjedhjet e ardhëshme vendore.

Zëri i Amerikës: Zoti president, cilat mendoni se janë sfidat kryesore të Shqipërisë sot në Ballkan? Si i parashikoni ju rrjedhat politike në rajon tani që statusi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes?

Presidenti Moisiu: Faktori shqiptar në Ballkan tani ka marrë një rëndësi të veçantë. Dhe kjo vjen nga vetë shpërndarja e shqiptarëve në rajon, pavarësisht se ne jemi rreth 3 milionë e gjysëm brenda kufijve aktual, dihet dhe nuk është sekret që në Ballkan banojnë mbi 7 milionë shqiptarë. Dhe vetë sjellja e shqiptarëve dhe politika e shtetit shqiptar ka qenë e tillë që nuk ka nxitur përplasje. Përkundrazi, ka luajtur një rol pozitiv dhe ka bërë që shqiptarët të jenë të durueshëm dhe të kërkojnë të drejtat e tyre brenda rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare. Pikërisht kjo ka sjellë edhe zgjidhjen e problemeve. Kosova është pika më e nxehtë tani në rajonin tonë. Unë mendoj se problemi i Kosovës, ashtu siç thashë edhe në fjalën që mbajta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, po shkon drejt fundit dhe pavarësia e Kosovës, tashmë pothuajse të gjithë janë bindur që zgjidhja më e drejtë dhe racionale është ajo që siguron paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti president, çfarë mund të bëhet për të tërhequr më shumë investime të huaja në Shqipëri? A është për shembull nisma “Shqipëria 1 Euro” me vlerë apo Shqipëria ka probleme më rrënjësore siç janë problemet e imazhit që duhet përmirësuar?

Presidenti Moisiu: Unë në përgjithësi e quaj si nismë interesante. Sigurisht, tani për tani nuk e kemi shumë të qartë, sepse programi nuk është paraqitur plotësisht ende, por sido që të jetë, do të varet edhe nga mundësitë që do kemi. Kjo është një nismë që është ndërtuar me një qëllim të drejtë, për të joshur sa më tepër biznesin e huaj. Por desha të them që në këtë rast nuk duhet të harrojmë edhe biznesin shqiptar. Duhet që jo vetëm biznesit të huaj, por edhe biznesit vendas t’u krijohen të gjitha mundësitë që të ecin përpara dhe të arrijnë të gjitha qëllimet, pra siç dihet biznesi ka qëllim fitimin, por brenda normave dhe ligjeve të caktuara.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur se nuk do të nxitoheni për t’u shprehur se si do ta trajtoni çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Po disa të djathtë e kuptojnë këtë si refuzim ndaj tyre, si një përkrahje të heshtur ndaj zotit Sollaku. A keni formuar tashmë një opinion se si do të veproni? Presidenti Moisiu: Kjo nuk është çështje emri apo çështje personi. Kjo është çështje që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërinstitucionale. Dhe kjo është kyçe për çdo demokraci, aq më tepër për demokracinë tonë që është kaq e brishtë dhe aq e re dhe për të cilën ne po punojmë të gjithë së bashku për ta ndërtuar dhe për ta çuar më përpara. Çështja e raportit midis institucioneve të pavarura, siç thashë, është kyçe, dhe ndarja e pushteteve që parashikon edhe kushtetuta jonë, ashtu si çdo kushtetutë e një vendi demokratik, është tepër e rëndësishme të kuptohet drejtë dhe zbatohet drejtë. Pushtetet janë të pavarura, janë të ndara dhe ato duhet të kenë marrëdhënie të bashkëpunimit reciprok dhe kjo është e domosdoshme dhe nevojshme për përparimin e çdo vendi dhe çdo demokracie, por brenda disa rregullave dhe brenda disa kushteve. Dhe, sejcili pushtet ka ngastrën e tij, nëse mund të shprehem kështu, dhe duhet të ushtrojë në radhë të parë funksionin e tij aty ku i takon. Dhe nëse ka probleme që nuk shkojnë, në qoftë se ka probleme që vërtet duhen riparuar, atëherë gjenden rrugët dhe mënyrat për t’i zgjidhur këto me urtësi, me drejtësi, dhe gjithmonë brenda kushtetutës dhe ligjit. Nëse ne do të bëjmë gjëra që nuk përputhen me frymën e kushtetutës dhe me frymën e ligjeve tona, atëherë sigurisht që kjo do të tregojë se ne kemi difekte në kuptimin e zbatimit të demokracisë. Pra, ky është një problem shumë i madh. Mua parlamenti shqiptar m’i ka dërguar materialet dhe ato janë të shumta. Aty është pjesa e mazhorancës dhe pjesa e opozitës, është gjithashtu edhe i gjithë dokumentacioni tjetër plotësues që unë e kërkova dhe parlamenti me shpejtësi ma vuri në dispozicion dhe mbi këtë çështje po punohet me specialistët më të mirë, të cilët janë duke më ofruar konkluzionet e tyre mbi të cilat unë do gjykoj dhe do të vendos.

Zëri i Amerikës: A e diskutuat këtë çështje në takimin që patët me kryetarin e Gjykatës së Lartë John Roberts këtu në Uashington?

Presidenti Moisiu: Sigurisht që unë diskutova pikërisht problemet e raportit të drejtësisë si pushtet më vete me pushtetet e tjera. Për mua qe një takim shumë interesant, shumë i frytshëm dhe mësova shumë. Sigurisht unë jam jo vetëm kryetar i shtetit por në rolin e kryetarit të shtetit sipas kushtetutës unë jam edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe në këto drejtime ne kemi nevojë të mësojmë së tepërmi. Aq më tepër që unë problemet e drejtësisë nuk i shoh si politike, nuk i gjykoj në mënyrë politike, por vetëm në mënyrë kushtetuese dhe ligjore.

Zëri i Amerikës: Zoti president, emri juaj është përfshirë kohët e fundit në çështjen e ashtëquajtur “Albatros.” Cili është reagimi juaj?

Presidenti Moisiu: Unë kam pasur një konferencë shtypi pak më parë dhe këto gjëra i kam sqaruar dhe më duket se tani çdo gjë është e qartë. Nuk ia vlen më të merremi me këtë gjë.

Zëri i Amerikës: Ju e keni vlerësuar marrëveshjen pozitë-opozitë të arritur kohët e fundit, e kam fjalën për numrin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por a ju duket normale që të preket kushtetuta vetëm për të kapërcyer një farë ngërçi të krijuar vetëm për shkak të përplasjeve politike. Mos është ky një precedent i keq ndoshta?

Presidenti Moisiu: Sigurisht që nuk është mirë që për çdo ngërç politik ne t’i drejtohemi kushtetutës në kuptimin e prekjes së saj, se sigurisht kushtetutës do t’i drejtohemi dhe në bazë të saj duhet të punojmë. Unë e përshëndeta marrëveshjen, sepse një situatë e tillë nuk duhet të ishte krijuar dhe gjëja më e mirë do të kishte qenë që politika të mos arrinte ta krijonte atë situatë. Por pasi u krijua mund të them se aty jo se ishte e pamundur një zgjidhje tjetër, por kjo u bë zgjidhja më e arsyeshme. Dhe unë e përshëndeta marrëveshjen në mënyrë që të ecim përpara se po humbasim shumë kohë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, mes dy partive kryesore politike në Shqipëri ka një ndarje të qartë për datën e zgjedhjeve, ku partia demokratike kërkon që të zbatohet ligji dhe zgjedhjet të mbahen në dimër, gjë që refuzohet nga socialistët. A mendoni ju se ka hapësira për kompromis? Dhe ju vetë kur gjykoni se mund të mbahen zgjedhje?

Presidenti Moisiu: Duke u bazuar në kodin zgjedhor aktual që është në fuqi ne jemi të detyruar që zgjedhjet t’i mbajmë nga mesi i dhjetorit deri në mesin e janarit. Këto janë zgjedhje vendore dhe do të bëhen zgjedhjet e komunave në fshatra, por sidomos pjesët veriore dhe verilindore në këtë kohë janë të bllokuara nga bora dhe probleme të tjera klimaterike, dhe prandaj për të mos pasur probleme të panevojshme është mirë që, siç e kam thënë edhe në një takim që është bërë për këtë punë, unë do ta pranoj çdo zgjidhje në qoftë se forcat politike parlamentare do të bien dakort. Unë do të vazhdoj punën time. Por nëse nuk i bind dot, unë jam i detyruar me kushtetutë që zgjedhjet t’i shpall brenda këtij afati që thashë.

XS
SM
MD
LG