Lidhje

Drejtori për Ballkanin në Pentagon thotë se Shqipëria ndodhet në një periudhë vendimtare për integrimin në NATO


Drejtori i programeve për Ballkanin dhe Euro-Azinë në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, Alan Van Egmond thotë se Shtetet e Bashkuara i mbështesin aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe se kjo periudhë është vendimtare për plotësimin e standardeve në këtë drejtim. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Van Egmond tha se Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld që pritet të marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore në Tiranë do të përcjellë mesazhin e mbështetjes për reformat në fushën e mbrojtjes dhe për kontributin në luftën kundër terrorizmit.

Zëri i Amerikës: Zoti Van Egmond, Sekretari Rumsfeld ka në plan të bëjë një vizitë në Shqipëri ku do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore. Çfarë mesazhi do të përcjellë ai në këtë konferencë?

Alan Van Egmond: Janë dy takime ministeriale, ai i Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore dhe tjetri takimi jozyrtar i Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Sekretari shpreson të marrë pjesë në këto takime dhe mendoj se do të përcjellë mesazhin e mbështetjes për reformat e mbrojtjes dhe për ata që janë të përkushtuar për të shërbyer në luftën kundër terroristëve.

Zëri i Amerikës: Një nga synimet kryesore të Shqipërisë është anëtarësimi në NATO, ashtu si edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këto aspirata të Shqipërisë për anëtarësim në NATO?

AlanVan Egmond: Shqipëria e ka vendin në NATO, por ka ende punë për të bërë dhe kjo është një periudhë vendimtare sepse ka shpresa, që do të shqyrtohet mundësia për anëtarësim në NATO gjatë dy vjetëve të ardhshëm. Kështuqë shpresa është që shqiptarët të bashkohen për të bërë të gjitha përpjekjet për të çuar përpara reformat e duhura, të zhvillojnë aftësitë që të jenë në gjendje të përfaqësojnë vlerat e NATO-s që të tregojnë se mund të bëhen dhe mund të jenë anëtarë të rinj të rëndësishëm të NATO-s. Shtetet e Bashkuara sigurisht që i mbështesin aspiratat e Shqipërisë dhe po bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet shqiptare për të ndihmuar në realizimin e reformave dhe që Shqipëria të paraqitet sa më mirë.

Zëri Amerikës: Kur mendoni ju mund të jenë shanset që Shqipëria të bëhet anëtare e aleancës?

Alan Van Egmond: Kjo është në dorën e vetë shqiptarëve. Ka të bëjë pjesërisht me burimet që mund të përdorësh për të ndihmuar në përparimin e reformave që ne presim që Shqipëria të plotësojë në drejtim të vlerave të NATO-s. Po ashtu ne duam të shohim më shumë përparim përsa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me demokratizimin si krimi dhe korrupsioni.

Zëri i Amerikës: Si do t’i karakterizoni marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën ushtarake?

AlanVan Egmond: Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Ne e vlerësojmë shumë kontributin e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Irak dhe Afganistan. Shqipëria jo vetëm e shpreh me fjalë mbështetjen për përpjekjet në luftën kundër terrorizmit. Shqiptarët në fakt kanë marrë përsipër shumë masa dhe detyra shumë të rëndësishme për të bashkëpunuar me ne në këtë luftë.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tek Kosova. Në Kosovë ka rreth 2 mijë trupa në Kampin Bondsteel, në bazën amerikane. Çfarë do të ndodhë me këtë prani amerikane pasi të përcaktohet statusi i Kosovës?

Alan Van Egmond: Prania e trupave amerikane në Kosovë është pjesë e operacionit të K-FOR-it të NATO-s. Parashikimet janë që këtë vit të trajtohet seriozisht statusi i Kosovës dhe forcat amerikane do të jenë pjesë e operacionit të K-Forit, do të jenë pjesë e procesit për të garantuar paqen dhe sigurinë e vazhdueshme në Kosovë për sa kohë të jetë e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ushtria amerikane ka bërë një riorganizim të bazave të saj. A ka ndonjë plan për bazën e Bondsteelit në kuadër të këtij riorganizimi?

Alan Van Egmond: Forcat amerikane po transformohen vazhdimisht për të plotësuar nevojat e shekullit të 21-të dhe pritet që ky proces të jetë i vazhdueshëm. Përsa u takon planeve konkrete dhe lëvizjes së forcave, asgjë nuk është e përcaktuar tani për tani. Por ne presim që gjendja në Kosovë, ashtu si në Bosnje të stabilizohet gjithnjë e më shumë, duke u dhënë mundësi vendeve që të realizojnë aspiratat e tyre për t’u integruar në institucionet euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Vëmendja e Shteteve të Bashkuara është e përqendruar në Lindjen e Mesme dhe në problemet atje. Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara angazhimin në rajonin e Ballkanit dhe rolin e tyre në Ballkan në këto kushte?

Alan Van Egmond: Vendet e Ballkanit kanë shumë për të ofruar në luftën globale kundër terrorizmit. Ato po japin gjithnjë e më shumë kontribut për sigurinë në zona të tjera të rajonit dhe në botë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Vendet e Ballkanit janë aleatë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore.

XS
SM
MD
LG